Pas përfundimit të seancës, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë qëndruar për të mbajtur fjalime nga foltorja e Kuvendit. Ata kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme që kërkon që të lirohen pozitat e dyfishta.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, ka theksuar se Gjykata ka vendosur një të vërtetë lidhur me funksionet e dyfishta dhe ka kërkuar që zyrtarët qeveritarë të lirojnë pozitat dhe të mos ushtrojnë funksionin e deputetit.
“Gjykata ka vulosur një të vërtetë që e kemi përmendur që në fillim për funksionet e dyfishta. PDK i bën thirrje LVV ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës që të lirojnë pozitat në kabinetin qeveritar. U bëjmë thirrje institucioneve të jenë vigjilente për të mundësuar zbatimin e këtij aktgjykimi të gjykatës”, ka thënë ai.
Nga ana e saj, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka theksuar se kryeministri në detyrë po vepron kundër shtetit të Kosovës dhe rendit kushtetues. Ajo ka bërë thirrje për respektimin e vendimit të Gjykatës Supreme.
“U bëj thirrje të gjithë deputetëve që të punojmë ditë e natë që t’ia heqim maskën Albin Kurtit. Kurti nuk ka mundësi dhe nuk të lejojmë që të mbështjellët me flamurin kuq e zi sa herë ka nevojë. Albin Kurti identifikohet më së shumti me flamurin e NOA-s. Kurti po punon kundër shtetit të Kosovës, ai nuk e ka njohur as më herët shtetin e Kosovës,”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka theksuar se ministrat dhe kryeministri po mbajnë pozita jashtëligjshëm. Ajo ka kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Supreme e ka vërtetuar atë që e kemi thënë nga dita e parë. Kjo ka qenë arsyeja për mosvotimin e raportit të Komisionit për mandatet e deputetëve. Jashtëligjshëm janë duke i mbajtur pozicionet. Nuk mundesh në të njëjtën kohë me qenë edhe deputet, edhe kryeministër e ministër. Atëherë kur Kushtetuesja u ka dhënë të drejtë për kandidatin, po ju konvenon, ndërsa kur ju thotë se nuk kanë të drejtë ta bllokojnë Kuvendin, nuk e pranojnë vendimin,”, ka thënë ajo. /GazetaSinjali/