Kushtetuesja publikon vendimin: Njihet e drejta e pensionit për punëtorët e larguar gjatë viteve ‘89-‘99

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshimet në këtë ligj ishin kontestuar nga Avokati i Popullit. Ai pati ngritur tri çështje: Nëse Ligji bën pabarazi dhe diskriminim; nëse është larguar kriteri prej 15 vjetësh stazh kontributpagues për qytetarët që për shkak të largimit nga puna si pasojë e masave të dhunshme s’e kanë arritur stazhin e kërkuar; dhe nëse “pensioni parcial kontributpagues i moshës” përbën skemë të re.

Ky ligj parashihte ndryshimin që të gjithë ata që para 1 janarit 1999 nuk kishin arritur stazh prej 15 vjetësh kontribut për shkak se janë larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme, mund të kualifikohen në skemën e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.

Gjykata ka vlerësuar se me rregullimin ligjor kërkohet vetëm dëshmi për largim nga puna në periudhën e masave të dhunshme. Në skemën e re përfshihen të gjitha kategoritë e punëtorëve dhe nuk ka diskriminim midis grupeve.

“Gjykata vlerësoi se mënyra e përcaktimit të pensioneve përmes skemës parciale kontributpaguese të moshës përmes nenit 4 të Ligjit të kontestuar, ua njeh përvojën e punës dhe kontributet pensionale, pa dallim, të gjithë punëtorëve të dëbuar dhunshëm nga puna përgjatë viteve 1989-1999, duke shmangur kësisoj çfarëdo forme të diskriminimit dhe të trajtimit të pabarabartë midis grupeve, në lidhje me të drejtën e tyre për realizimin e pensionit kontributpagues të moshës. Gjykata vlerësoi që zgjidhja e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, paraqet një ekuilibër të drejtë mes qëllimit legjitim të mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave dhe lirive themelore të individit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Të drejtën për pension parcial kontribut-pagues të moshës e realizojnë të gjithë personat, të cilët kanë shtetësi të Kosovës dhe të cilët plotësojnë këto kushte:

Kanë mbushur moshën 65-vjeçare

Ofrojnë dëshmi të vlefshme mbi pagesën e kontributeve sipas dispozitave të Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor para datës 01.01.1999

Janë larguar nga puna pas datës 01.01.1989 si rezultat i masave të dhunshme

Shuma e periudhës së kontributeve të paguara si dhe periudhës nga data e largimit të dhunshëm nga puna, bashkërisht arrijnë nivelin prej 15 vjetësh

Sipas këtij projektligji, lartësia e pensionit parcial kontribut-pagues për secilin nivel përcaktohet duke marrë për bazë numrin e viteve të kontributeve të paguara

Kjo skemë e re pensionale ishte bërë pasi Gjykata pati shfuqizuar më 2022 një paragraf, për të cilin konstatoi se u mohoi të drejtën e pensionit mijëra qytetarëve. Ligji i deritashëm parashihte të drejtën e përfitimit nga pensioni kontributpagues vetëm atyre që dëshmonin se kanë kontribuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.  Për personat që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb, nuk u mundësua që të gëzonin pensionin kontribut-pagues, për shkak se nuk përmbushnin kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune.

Qeveria pati thënë se në këtë skemë do të duhej të përfshiheshin rreth 70 mijë persona. Buxhetit kjo llogaritet t’i kushtojë rreth 60 milionë euro në vit./Koha.net

Read Previous

S’ka amnisti për kosovarët që luftuan në Siri

Read Next

ASK: Çmimi i rrymës është shtrenjtuar 17.8 për qind