Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dështimit të radhës për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duke akuzuar opozitën për bllokim të procesit.
Haxhiu para mediave theksoi se opozita po refuzon të marrë pjesë në votim pa pasur argumente të qëndrueshme për këtë qëndrim.
“Sërish opozita refuzoi të marrë pjesë në votim. Ndoshta duhet të trajtojmë arsyet pse ata e kanë këtë qëndrim. Thonë se është ndryshuar rendi i ditës, por kjo nuk qëndron. Kryesuesi i seancës i është përmbajtur me përpikëri rendit të ditës, ashtu siç parashihet në Rregulloren e Kuvendit. Aktualisht ndodhemi te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit”.
Deputetja e LVV-së mohoi edhe pretendimin e opozitës se nevojitet mocion procedural për të kaluar në votim të fshehtë: “Edhe kjo është e paqëndrueshme. Sepse Gjykata Kushtetuese nuk përcakton nëse duhet të shkohet me votim të fshehtë apo të hapur. Pas gjashtë tentimeve me votim të hapur, kryesuesi ka vazhduar me votim të fshehtë – në përputhje me përpjekjet për kompromis”.
Sipas saj, Gjykata Kushtetuese ka theksuar nevojën për konsensus jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga opozita.
“Kushtetuesja na ka obliguar të kërkojmë kompromis, por këtë e ka kërkuar edhe nga opozita. Deputetët e opozitës kanë ardhur në sallë 35 herë dhe nuk kanë marrë asnjë vendim – as votë për, as kundër, as abstenim”.
Haxhiu po ashtu tha se LVV ka ofruar dy kompromise.
“Ne kemi tentuar ta formojmë një komision që 35 herë, dhe është e drejtë e LVV-së ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Nëse të tjerët duan ta përcaktojnë kandidatin, atëherë kjo bie ndesh me vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por nëse unë me votim të fshehtë nuk i kam 61 vota, atëherë unë tërhiqem. Ky është kompromisi ynë”, tha ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/