Kryetari i partisë GUXO, Faton Peci, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se ka paqartësi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se cili do të jete veprimi pas 26 korrikut.
“Presidentja shprehi vullnetin dhe qëndrimin dhe gatishmërinë që të kontribuojë nga pozicioni qe ajo ka për të zhbllokuar gjendjen… Ne po duam të besojmë që gjate ditëve në vijim, para datës 26 korrik, partitë e tjera do të kenë mundësinë e reflektimit dhe gjetjes se konsensusit”, tha Peci.
Tutje, Peci tha se ekziston një mundësi që edhe presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese “për ta pyetur se çka ka dashur të thotë në momentin qe ka vendosur afatin 30 ditë”.
“Çështja është që ka paqartësi se cili do të jetë veprimi dhe nuk është lehtë i parashikueshëm se cilat do të jenë sekuencat. Në një rrethanë të tillë ekziston mundësi reale që edhe presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtuese se çka ka dashtë momentin që ka vendosur afatin 30 ditësh, kur dihet se ky afat 30 ditor vetëm se ka kaluar 30 ditshi i mos konstituimit të Kuvendit nëse marrim për bazë datën 15 prill”, tha Peci.
Peci u bëri thirrje të gjitha partive politike që në “të reflektojnë para 26 korrikut”.
Takimi Osmani-Peci është në kuadër të takimeve që presidentja po i zhvillon në përpjekje për të dalë nga kriza institucionale.
Presidentja takoi të mërkurën në kabinetin e saj, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. /KosovaPress/