Formula 1 | Verstappen: Nuk mendoj më për titullin

Credit: Getty Images

Çmimi i Madh i Austrisë në Formula 1 zgjati vetëm tre kthesa për Max Verstappen. Piloti i Red Bull u përplas nga Kimi Antonelli, që në start, por gara e 4 herë kampionit të botës në pistën e Spielberg parashikohej e vështirë, pasi nisej i shtati.

Megjithatë, pas garës holandezi nuk u duk aspak nervoz ose i zemëruar. Ai përdori fjalë mirëkuptimi dhe respekti të madh për pilotin e ri italian. “Kur dolëm nga makina, e pyeta se çfarë kishte ndodhur sepse ishte e vetmja makinë që ishte aty me mua dhe i ishte hequr një rrotë”, shpjegoi Verstappen.

“Këto aksidente janë gjëra që ndodhin. Të gjithë kanë bërë një gabim të tillë në karrierën e tyre. Kimi është një talent i madh, kështu që ai do të mësojë nga kjo dhe kjo është në rregull. E pashë çfarë ndodhi. Askush nuk i bën këto gjëra me qëllim. Mund të ndodhin”, shtoi Verstappen.

Nga kjo garë ai doli me 0 pikë, por tashmë holandezi nuk mendon më për titullin: “Nuk kam menduar kurrë këtë sezon. Ne i marrim gjërat garë pas gare dhe përpiqemi të përmirësojmë performancën e makinës, të mësojmë nga të gjitha gjërat që po bëjmë dhe të shohim se çfarë ndodh“. /Telesport.al/

Read Previous

FBI dhe NSA paralajmërojnë: Sulmet kibernetike nga Irani mbeten kërcënim

Read Next

Cilat vende evropiane kanë ligje kundër deepfake?