Dy përforcime të reja te KB “Vëllaznimi”

Klubi i basketbollit Vëllaznimi ka nisur të ndërtojë me kujdes skuadrën për edicionin e ri në Superligën e Kosovës, duke siguruar dy përforcime të rëndësishme në merkato: Samir Zekiqin dhe Jacob Michael Young.

Basketbollisti mitrovicas Samir Zekiqi do të jetë pjesë e kuqezinjve për sezonin 2025/26. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i klubit, Ideal Bakija, për televizionin Syri. Zekiqi luan në pozitën katër, është 202 centimetra i gjatë dhe ka një përvojë të pasur në basketbollin vendor, ku ka qenë pjesë e Trepçës, Pejës, Yllit dhe së fundmi Bashkimit nga Prizreni. Ai është gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Kosovës.

Në anën tjetër, klubi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes edhe me basketbollistin amerikan Jacob Young, i cili pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim. Young është një organizator loje (point guard) me karrierë të pasur në NCAA dhe NBA G League. Ai ka luajtur për ekipet universitare Texas Longhorns, Rutgers Scarlet Knights dhe Oregon Ducks, ndërsa në sezonin më të mirë me Rutgers ka regjistruar mesatarisht 14.1 pikë për ndeshje.

Pas përfundimit të kolegjit, Young ka qenë pjesë e disa skuadrave në G League si Memphis Hustle, Texas Legends dhe së fundmi Windy City Bulls. Gjatë vitit 2023, ai ka luajtur edhe në Meksikë me ekipin Halcones de Ciudad Obregón. Ai njihet për shpërthimet në sulm, vizionin në organizim dhe intensitetin në mbrojtje, dhe pritet të sjellë një nivel të ri dinamike në skuadrën e Vëllaznimit.

Këto dy lëvizje tregojnë ambicien e qartë të klubit gjakovar për të qenë konkurrues dhe për të synuar suksese të mëdha në sezonin e ardhshëm të basketbollit kosovar. /tvsyrivision/

Read Previous

SHBA dhe Britania zyrtarizojnë marrëveshjen tregtare

Read Next

Chelsea, Maresca: Nuk ka të paprekshëm, në merkato gjithçka mund të ndodhë