Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka deklaruar se situata e sigurisë në Izrael është përmirësuar në mënyrë dramatike, si rezultat i Operacionit izraelit “Luani që po Ngrihet” dhe kërcënimi katër dekadash për ekzistencën e Izraelit nga regjimi iranian është shtyrë për shumë vite.
Diplomatja izraelite e cila është ambasadore në shtetin ballkanik, i cili ka hapur Ambasadën në Jerusalem, ka shprehur falënderimet ndaj Kosovës, për mbështetjen ndaj Izraelit.
“Pas bombardimit amerikan të tri objekteve bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan, Kryeministri Kurti ishte udhëheqësi i parë ballkanik që shprehu mbështetjen e tij dhe tha se armët bërthamore në duart e regjimeve autoritare përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë globale. Kosova qëndron fort përkrah SHBA-së dhe BE-së në kundërshtim me ambiciet bërthamore të Iranit. Ne e vlerësojmë qëndrimin e Kryeministrit Kurti, të gjitha vendet demokratike duhet të mbështesin veprimet e SHBA-së dhe operacionin e Izraelit në Iran dhe ta kuptojnë se duke dëmtuar ndjeshëm programin bërthamor të Iranit, e gjithë bota është një vend më i sigurt tani”, tha Ziv, në një intervistë për RTKlive.
Ajo ka thënë se Populli i Kosovës dhe hebrenjtë që kanë jetuar në Kosovë historikisht gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë shqiptarë të guximshëm shpëtuan jetën e hebrenjve që as nuk i njihnin. Kur Kosova përjetoi luftën dhe ishte në kohë nevoje, Izraeli ishte vendi i parë që vendosi një spital fushor në kufi me Maqedoninë e Veriut, i cili trajtoi refugjatët. Pas luftës, izraelitë të tjerë dhe veçanërisht z. Eli Eliezri dhe Dr. Moshe Landsman erdhën në Kosovë për të ndihmuar në rindërtimin pas luftës dhe Dr. Landsman punoi në Kosovë për 25 vjet derisa ndërroi jetë vitin e kaluar. Vendet tona po festojnë tani pothuajse 4.5 vite marrëdhënie diplomatike në të cilat është bërë përparim i madh në fusha të ndryshme, e fundit prej të cilave ishte Marrëveshja për Heqjen e Vizave që hyri në fuqi në fillim të majit”, tha ajo për RTKlive.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, beson e shpreson të kalojmë nga lufta në rindërtim dhe do të ‘jemi gjithashtu në gjendje të punojmë së bashku për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes vendeve tona’. Ajo shpreson se Izraeli të hap edhe ambasadë fizikisht në Kosovë.
“Shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë një rritje të turizmit të ndërsjellë, delegacioneve, bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve kulturore dhe arsimore dhe bashkëpunimit në shumë fusha të reja”, tha ajo.
Intervista e plotë:
RTKlive: Si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në Izrael?
Ziv: Situata e sigurisë në Izrael është përmirësuar në mënyrë dramatike, si rezultat i Operacionit “Luani që po Ngrihet” dhe kërcënimi katër dekadash për ekzistencën e Izraelit nga regjimi iranian është shtyrë për shumë vite. Në këtë operacion, Shteti i Izraelit hoqi një kërcënim të dyfishtë, të menjëhershëm dhe ekzistencial – projektin bërthamor iranian, që ka si qëllim shkatërrimin e Izraelit, dhe atë të prodhimit iranian të dhjetëra mijëra raketave balistike të drejtuara ndaj qytetarëve tanë. Forcat Ajrore, të cilat operuan lirisht në qiellin iranian, dëmtuan rëndë objektet bërthamore të regjimit iranian, si dhe projektin e raketave tokë-tokë, duke eliminuar komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë, dhe duke shkatërruar shumë objektiva ushtarake dhe të regjimit. Sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane e kanë kthyer mbrapa për shumë vite aftësinë e regjimit terrorist iranian për të zhvilluar armë bërthamore. Sipas njoftimit të Komisionit të Energjisë Atomike të Izraelit (IAEC), sulmi shkatërrues amerikan ndaj Fordo shkatërroi infrastrukturën kritike të vendit dhe e bëri të papërdorshëm objektin e pasurimit. Për më tepër, Izraeli sulmoi objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Arak dhe dëmtoi programin ushtarak bërthamor të Iranit. Arritja ushtarake e operacionit mund të vazhdojë pafundësisht nëse Irani nuk ka qasje në material bërthamor. Të martën, pasi objektivat e Operacionit “Luani që po Ngrihet” kundër regjimit terrorist iranian u arritën; Izraeli ra dakord për një armëpushim bilateral në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara. Pasi Shteti i Izraelit i ka arritur të gjitha objektivat e tij për operacionin, dhe madje edhe më shumë. Ne falënderojmë Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për qëndrimin e tyre të qartë, qëndruan përkrah Izraelit në mbrojtje të sovranitetit dhe qytetarëve të tij, dhe për veprimin e vendosur për të larguar kërcënimin bërthamor iranian, për hir të sigurimit të stabilitetit në rajon dhe në mbarë botën. Ne nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e qytetarëve tanë dhe nuk do të pranojmë asnjë shkelje të armëpushimit. Nga një perspektivë rajonale, Operacioni në Iran, së bashku me rezultatet tashmë të arritura me Hezbollah në Liban dhe Hamasin në Gaza krijojnë shpresë se situata në Lindjen e Mesme dhe më gjerë do të ndryshojë ndjeshëm. Boshti Shiit i krijuar nga Irani, që synonte ta rrethonte Izraelin përmes 7 kufijve të ndryshëm me organizata terroriste që kishin për qëllim asgjësimin e Izraelit, është dobësuar ndjeshëm. Ndërsa sulmet e Izraelit në Iran ishin të sakta dhe të synuara, për të eliminuar kërcënimin bërthamor dhe raketor dhe për të goditur komandantët e lartë – regjimi terrorist iranian gjuante pa dallim ndaj qendrave të popullsisë civile çdo ditë, me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe përhapjen e shkatërrimit dhe tmerrit. Që nga fillimi i operacionit, Irani ka lëshuar afërsisht 550 raketa që kanë hyrë në territorin izraelit, si dhe më shumë se 1000 UAV. 28 persona u vranë dhe mbi 1,470 u plagosën, 15 prej tyre rëndë – si pasojë e goditjeve të raketave. Pavarësisht shumë arritjeve të operacionit “Luani që Ngrihet”, ne kemi paguar gjithashtu një çmim të rëndë. Zemrat tona janë me familjet që humbën të dashurit e tyre, me të plagosurit dhe me ata që humbën shtëpitë e tyre si pasojë e raketave të lëshuara nga regjimi terrorist iranian që ishin të drejtuara drejt qendrave të popullsisë në Izrael.
RTKlive: Kosova është një nga vendet në rajon që ka mbështetur Izraelin në politikat e tij kundër politikave agresive të Iranit, jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe ndaj shteteve të tjera. Si e shihni këtë?
ZIV: Pas bombardimit amerikan të tri objekteve bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan, Kryeministri Kurti ishte udhëheqësi i parë ballkanik që shprehu mbështetjen e tij dhe tha se armët bërthamore në duart e regjimeve autoritare përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë globale. Kosova qëndron fort përkrah SHBA-së dhe BE-së në kundërshtim me ambiciet bërthamore të Iranit. Ne e vlerësojmë qëndrimin e Kryeministrit Kurti, të gjitha vendet demokratike duhet të mbështesin veprimet e SHBA-së dhe operacionin e Izraelit në Iran dhe ta kuptojnë se duke dëmtuar ndjeshëm programin bërthamor të Iranit, e gjithë bota është një vend më i sigurt tani.
RTKlive: Çfarë ndikimi mund të ketë kjo situatë në stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe në sigurinë globale në përgjithësi?
ZIV: Është ende herët për të thënë se si Operacioni “Luani që Ngrihet” do të ndikojë në Lindjen e Mesme dhe në Sigurinë Globale, por është e padiskutueshme se një kërcënim shumë serioz ekzistencial ndaj Izraelit si dhe ndaj vendeve të tjera në rajon është hequr. Regjimi iranian ka kërcënuar shumë vende të ndryshme, përveç kësaj ai ka eksportuar raketat dhe dronët e tij te Hezbollahu, Houthit në Jemen dhe të tjerë. Fakti që objektet e tyre për prodhimin dhe lëshimin e raketave janë dëmtuar ndjeshëm dhe disa janë nxjerrë jashtë funksionit, do të ndikojë në sigurinë në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera gjithashtu.
RTKlive: Po bëhen gati dy vjet që nga sulmet terroriste nga Hamasi kundër Izraelit.
Ziv: Më 7 Tetor, grupi terrorist Hamas nisi sulmin më vdekjeprurës ndaj hebrenjve që nga Lufta e Dytë Botërore – masakruan, përdhunuan, torturuan 1200 njerëz nga foshnjat deri tek të moshuarit dhe rrëmbyen 250 persona. Izraeli u kap i papërgatitur dhe për këtë arsye pësoi humbje kaq tragjike. Na u deshën disa ditë për t’u përqendruar dhe për të filluar kundërsulmin. Që nga ajo kohë kanë kaluar 627 ditë. Si rezultat i sulmit të 7 Tetorit, Lindja e Mesme ka ndryshuar ndjeshëm. Hamasi në Gaza dhe Bregun Perëndimor është dobësuar ndjeshëm. Grupi terrorist Hezbollah në Liban, i cili vendosi të bashkohej në sulmin kundër Izraelit më 8 Tetor, përfundimisht u dobësua ndjeshëm. Udhëheqësi i tyre Hassan Nasrallah dhe e gjithë udhëheqja e Hezbollahut u eliminuan, armët strategjike, raketat dhe infrastrukturat u shkatërruan kryesisht dhe pozita e tyre në politikën libaneze u dobësua. Si rezultat i këtyre rezultateve, edhe regjimi i Assad-it, i cili e mbështeti fuqishëm Iranin dhe Hezbollahun, ra, dhe një realitet dhe udhëheqje e re u krijua në Siri. Me operacionin “Luani që Ngrihet”, situata e Iranit dhe në Iran ka ndryshuar gjithashtu dhe besoj se në muajt në vijim do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve të tjera në rajon.
RTKlive: Izraeli është një nga vendet që e njohu Kosovën, dhe Kosova është një nga vendet e para që hapi një ambasadë në Jerusalem. A mund të shpresojmë që Izraeli do të hapë së shpejti një ambasadë fizike në Prishtinë?
ZIV: Shpresoj sinqerisht që po.
RTKlive: Cili është mesazhi juaj dhe i qeverisë izraelite për qytetarët e Kosovës?
ZIV: Populli i Kosovës dhe hebrenjtë që kanë jetuar në Kosovë historikisht gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të mira fqinjësore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë shqiptarë të guximshëm shpëtuan jetën e hebrenjve që as nuk i njihnin. Kur Kosova përjetoi luftën dhe ishte në kohë nevoje, Izraeli ishte vendi i parë që vendosi një spital fushor në kufi me Maqedoninë e Veriut, i cili trajtoi refugjatët. Pas luftës, izraelitë të tjerë dhe veçanërisht z. Eli Eliezri dhe Dr. Moshe Landsman erdhën në Kosovë për të ndihmuar në rindërtimin pas luftës dhe Dr. Landsman punoi në Kosovë për 25 vjet derisa ndërroi jetë vitin e kaluar. Vendet tona po festojnë tani pothuajse 4.5 vite marrëdhënie diplomatike në të cilat është bërë përparim i madh në fusha të ndryshme, e fundit prej të cilave ishte Marrëveshja për Heqjen e Vizave që hyri në fuqi në fillim të majit. Unë besoj se tani, që shpresoj të kalojmë nga lufta në rindërtimin e vendit tonë, do të jemi gjithashtu në gjendje të punojmë së bashku për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes vendeve tona. Shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë një rritje të turizmit të ndërsjellë, delegacioneve, bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve kulturore dhe arsimore dhe bashkëpunimit në shumë fusha të reja. /RTKlive