Kancelari gjerman, Friedrich Merz Shtetet tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po diskutojnë mënyra për të ndikuar te Izraeli drejt një armëpushimi në Rripin e Gazës.
Duke folur me gazetarët pas një serie takimesh me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Merz tha se vendet e BE-së janë të shqetësuara për situatën humanitare në Rripin e Gazës.
“Ne diskutuam intensivisht mundësi të ndryshme se si ne, së bashku me amerikanët, mund të ndikojmë tek Izraeli për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës. Këshilli Evropian ka qëndrim shumë të qartë për këtë në dokumentin përfundimtar”, tha Merz.
“Askush nuk e ka kundërshtuar që ne tani duam të ecim në këtë drejtim. Ne e arritëm këtë vendim me konsensus. Prandaj, Këshilli Evropian ka qëndrim të qartë për Izraelin”, shtoi ai.
Në përfundimet e Samitit të BE-së të publikuara të enjten në mbrëmje, udhëheqësit evropianë shprehën keqardhje për përkeqësimin e krizës humanitare në Gaza dhe bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin pa kushte të të gjitha pengjeve.
Ata i kërkuan Izraelit të “përmbushë plotësisht” detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar dhe të sigurojë mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve humanitarë si dhe infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, shkollat dhe objektet e OKB-së.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga Spanja dhe Irlanda për të pezulluar marrëveshjen tregtare të BE-së me Izraelin për shkak të shkeljes së detyrimeve të të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara palestineze, propozimi nuk arriti të merrte mbështetje unanime nga të gjithë udhëheqësit.
Që kur Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës në vitin 2023, më shumë se 56 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Izraeli aktualisht po përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza, ku të paktën 1.9 milion palestinezë mbeten të zhvendosur dhe përballen me mungesa të mëdha ushqimi, furnizimesh mjekësore dhe artikujve të tjerë thelbësorë. /Anadolu Agency/