Rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta, në të gjithë Kosovën, sot i janë nënshtruar testit të arritshmërisë, një nga vlerësimet më të rëndësishme në përfundim të arsimit të obligueshëm.
Testimi u zhvillua në 170 qendra të testimit, me angazhimin e mbi 1,500 administruesve.
Nxënësit u testuan në nëntë lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Histori, Gjeografi, Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji. Ky test shërben si bazë për orientimin e mëtejmë arsimor të nxënësve në shkollat e mesme.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka paralajmëruar masa të rrepta kundër kopjimit gjatë testimit. Në rast konstatimi se janë përdorur telefonë ose është ë shpërndarja e materialeve të paautorizuara, sipas MASHTI-t, nxënësit do të largohen nga testi.
Sipas Ministrisë së Arsimit, rezultatet e testit te arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta, pritet të shpallen deri më 5 korrik.
Ky proces vlerësohet si një hap i rëndësishëm për nxënësit në orientimin e tyre në arsimin e mesëm dhe për vlerësimin e arritjeve të tyre gjatë ciklit të arsimit fillor. /KosovaPress