Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ndarë detaje nga takimi që zhvilloi me homologun e tij amerikan Donald Trump, në kuadër të samitit të NATO-s që po mbahet në Hagë.
Zelensky e përshkroi takimin si të mirë dhe me theks të veçantë në çështje të sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Ne diskutuam mbrojtjen e popullit tonë me presidentin – para së gjithash, blerjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet tona, popullin tonë, kishat dhe infrastrukturën,” deklaroi ai.
Në takim, përveç diskutimeve për situatën në fushëbetejë, dy liderët kanë folur edhe për përparimet në bisedimet midis delegacioneve ukrainase dhe ruse që po zhvillohen në Stamboll, si dhe për çështjen humane të shkëmbimit të të burgosurve të luftës dhe trupave të të rënëve. Zelensky ka veçuar faktin që Rusia ka kthyer trupat e ushtarëve të saj të rënë në territorin ukrainas.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se i ka prezantuar Trumpit informacione konkrete për zhvillimet në vijën e frontit.
“Folëm për situatën në fushëbetejë. Putini definitivisht nuk po fiton. I paraqita presidentit faktet rreth asaj që po ndodh vërtet në terren,” tha Zelensky.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e veprimeve të fundit të SHBA-së ndaj Iranit, të cilat sipas tij, kanë ndikuar jo vetëm në dobësimin e programit bërthamor iranian, por edhe në ngadalësimin e prodhimit të dronëve iranianë, që kanë qenë pjesë e arsenalit ushtarak të përdorur nga Rusia në Ukrainë.