Gjykata Supreme autorizon rifillimin e dëbimeve në vende të treta

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka hapur rrugë administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, të rifillojë dëbimet e migrantëve në vende të treta, përfshirë edhe Kosovën, edhe në rastet kur migrantët nuk kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Vendimi i Gjykatës Supreme përfaqëson një fitore të madhe për administratën Trump. Një gjykatë e ulët kishte tejkaluar kompetencat e saj duke urdhëruar Departamentin e Sigurisë Kombëtare që të njoftojë migrantët për vendin ku do të dëbohen dhe t’u japë mundësi për të kundërshtuar dëbimin nëse kanë frikë nga tortura apo ndëshkimi.

Gjykata Supreme muajin e kaluar i ka lejuar administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, duke forcuar kështu përpjekjet e republikanëve për shtimin e dëbimeve.

Por, vendimi i gjykatës s’e zgjidh çështjen – betejat ligjore vazhdojnë në gjykatat më të ulëta, dhe procesi pritet të zgjasë me vite. Megjithatë, vendimi lejon administratën Trump të vazhdojë zbatimin e politikës së dëbimeve, pa proces të plotë ligjor.

Kosova është një ndër destinacionet për migrantët e dëbuar nga SHBA-ja. Në maj, qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për të pranuar dhe strehuar deri në 50 migrantë për një periudhë njëvjeçare, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në.

Read Previous

Irani mohon ta ketë shkelur armëpushimin

Read Next

Shtohen tensionet: Katari akuzon Iranin për shkelje të sovranitetit