Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka paralajmëruar fermerët në zonat kufitare të Kosovës që të rrisin vigjilencën pas shpërthimit të sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë.
Në një njoftim për media, AUV ka kërkuar që fermerët “të evitojnë çdo kontakt të drejtpërdrejtë të deleve dhe dhive me kafshë të ardhura nga territori i Shqipërisë”, duke theksuar rrezikun e përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës.
AUV tutje u bëjnë thirrje të gjithë mbajtësve të kafshëve që “të mbajnë kafshët e tyre të monitoruara” dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar.
“Shenjat e sëmundjes përfshijnë ethet e larta, plagë në gojë, hundë ose sytë që rrjedhin, dobësi të përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, AUV thekson rëndësinë që “të mos lejohet futja e kafshëve tjera në tufat ekzistuese”, si masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit.
“Zbatimi i këtyre masave është thelbësor për mbrojtjen e tufave tuaja dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë,” thuhet në fund të njoftimit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më 11 qershor njoftoi se ka ndaluar përkohësisht importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria për shkak të kësaj sëmundje.
“Pas rivlerësimit të situatës, lajmërimeve për konfirmime të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) edhe në regjione tjera, AUV ngrit masën kufizuese për tërë territorin e Shqipërisë, me qellim të parandalimit të përhapjes. Duke parë rrjedhën e situatës përveç masës kufizuese në import. Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të tyre për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje bagëtitë e tyre dhe të pengojnë çfarëdo kontakti të kopeve të tyre me kopetë e fermerëve nga vendi fqinjë”, ka njoftuar javë më parë AUV. /Telegrafi/