Gara për kryetar të komunave tashmë ka filluar të marrë formë, me disa kandidatura të zyrtarizuara dhe të tjera në pritje të konfirmimit.
Një garë e nxehtë pritet si gjithmonë të zhvillohet në kryeqytet ku tashmë janë zyrtarizuar katër kandidatë: Hajrulla Çeku LVV, Përparim Rama LDK, Bekë Berisha AAK dhe Besa Shahini PSD.
Uran Ismaili është i përfolur si kandidat i PDK-së, mirëpo emri i tij ende nuk është zyrtarizuar.
E kur jemi tek çështja e zyrtarizimeve të kandidatëve, Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë zyrtarizoi si kandidat të sajin për Prishtinën, Hajrulla Çekun i cili aktualisht është ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Shpallja e kandidaturës së tij për Prishtinën, u prit me reagime e komente të shumta, pasi që i njëjti me prejardhje është nga komuna e Prizrenit, duke vënë në pikëpyetje kandidimin e tij.
Por, çfarë thotë Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovës?
Sipas këtij ligji neni 9 paragrafi 2, thotë se kandidati për kryetar të komunës duhet të ketë qenë për së paku 3 vjet banor i komunës, në të cilën ai/ajo kërkon të garojë.
“Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të kualifikohet sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe për së paku tre (3) vite duhet të ketë qenë banor i komunës në të cilën ai apo ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës.
9.3 Kandidati i subjektit të certifikuar politik për pozitë të Kryetarit të Komunës mund të certifikohet si kandidat në zgjedhje tjera siç janë ato për Kuvend të Kosovës apo Kuvend të Komunës, por do të mbajë vetëm një pozitë të zgjedhur. Nëse zgjidhet si Kryetar Komune, kandidati nuk do të këtë të drejtë të mbajë vendin në Kuvendin e Kosovës apo Kuvendin e Komunës”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje Lokale.
Ndryshe, sipas Nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai/ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.
Ndryshe KQZ ka njoftuar ditë më parë se afati për aplikim të subjekteve politike do të zgjasë 49 ditë, duke filluar nga 26 qershori deri më 13 gusht 2025.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025. Në këto zgjedhje, qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për kryetarët e komunave dhe përbërjen e kuvendeve komunale në 38 komuna të vendit.
Procesi pritet të jetë i rëndësishëm jo vetëm për konfigurimin e pushtetit lokal, por edhe për balancat politike në nivel qendror, duke reflektuar forcën dhe ndikimin e subjekteve politike në terren. /Telegrafi/