Prokuroria Speciale: Bislimi u intervistua si dëshmitar, rasti është në fazën fillestare të hetimeve

Prokuroria Speciale është deklaruar pas intervistimit të zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, në lidhje me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Nga Prokuroria kanë deklaruar për Reporteri.net se Bislimi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Detaje tjera s’janë dhënë, duke u arsyetuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve.

“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z.Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve. PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret”, kanë deklaruar nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë, Bislimi ka thënë se  intervistimi i tij ka qenë i panevojshëm, duke konsideruar që informacionet që ka dhënë, kanë mundur të grumbullohen pa pasur nevojë për intervistim.

“Sot isha në prokurori i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Poashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar ai.

Tutje, Bislimi tha se se “qëllimi parësor” i intervistës ka qenë prodhimi i lajmit medial.

“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet. /Reporteri.net/

Read Previous

Hasani: Tre qytetarë shqiptarë të evakuuar nga Izraeli mbërrijnë shëndosh e mirë në Tiranë

Read Next

Senati amerikan miraton ligjin për stablecoins, një hap historik për kriptomonedhat