Inzaghi: Do të më mungojë gjithçka nga Interi, edhe kritikat më të padrejta

“Pranova sfidën dhe dola nga zona ime e rehatisë pas disa vitesh tek Interi. Nuk kishte asnjë ekip tjetër që doja të stërvitja”. Në prag të debutimit në Botërorin për Klube kundër Real Madridit, Simone Inzaghi kthehet te vendimi i tij për të pranuar ofertën e Al Hilal.

Kjo, në një moment kur vijojnë diskutimet mbi fjalët e CEO së klubit arab, Esteve Calzada, në lidhje me kohën kur u mor vendimi nga ish-trajneri i Interit. Në konferencë për shtyp, Inzaghi u përgjigj menjëherë për polemikat e lindura:

“Nëse ky është çmimi që duhet të paguaj për 4 vitet tek Interi, jam i lumtur ta bëj. Kam marrë më shumë nga ç’kam dhënë; nga tifozët, drejtuesit, lojtarët. E di që do të më mungojë gjithçka, edhe kritikat më të padrejta, por kam dhënë gjithçka. Besoj se, për të mirën e Interit, ndarja ishte zgjedhja e duhur, edhe pse e dhimbshme për të gjithë”.

Inzaghi gjithashtu dëshiroi të sqarojë se e ardhmja e tij nuk ndikoi negativisht në paraqitjen e skuadrës përpara finales së humbur kundër PSG-së dhe mbrojti zgjedhjen për t’u transferuar në “Saudi Pro League”, ku sipas disa mediave do të përfitojë 26 milionë euro në vit:

“Doja të ndryshoja mentalitet, stil loje dhe të përballesha me sfida të reja. Nuk kishte klub tjetër që doja të stërvitja, zgjodha Al-Hilal. Tani do të përballemi ndoshta me ekipin më të fortë në botë, – tha Inzaghi, duke iu referuar Real Madridit, kundërshtarit në debutim, në Botërorin për Klube. – Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por jemi gati për sfidën dhe do të luajmë sipas mënyrës sonë”. /Telesport.al/

Read Previous

FBI paralajmëron përdoruesit e iPhone dhe ata të Android të fshijnë menjëherë këtë SMS

Read Next

SHBA mbyll përkohësisht ambasadën në Jerusalem