Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit të 33-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se mosvotimi nga ana e partive tjera politike është veprim i papërgjegjshëm politikisht e juridikisht shkelje e Kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Haxhiu tha se gjithçka zgjidhet nëse partitë politike vendosin të kryejnë “detyrat që i kanë”.
“Vlerësoj edhe njëherë që është qëndrim i papërgjegjshëm, politikisht veprimet e opozitës janë veprime të papërgjegjshme, juridikisht janë shkelje të kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Uroj që opozita të reflektoj sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata të marrin pjesë në votim. Nuk themi që ata duhet të votojnë domosdo po, ne po themi që është e rëndësishme që opozita të marrë pjesë në votim, e ka obligim kushtetues, për ata duhet të votojnë për, kundër ose abstenim, gjithçka zgjidhet në çoftë se opozita vendos të kryej detyrat që i ka”, tha Haxhiu.
Haxhiu përmendi edhe të kaluarën kur PDK-ja nuk ka propozuar dy muaj radhazi emrin e kandidatit për kryetar të kuvendit, duke thënë se LVV-ja nuk është duke e bërë këtë dhe se është e rëndësishme që të jenë bashkë e të unifikuar.
“Ne do të ishim bllokues në çoftë se pas votimit të deputetëve nuk do të bënim propozimin për kandidatin për kryetar të kuvendit, siç ka ndodhur në të kaluarën, PDK-ja nuk e ka propozuar dy muaj radhazi emrin e kandidatit për kryetarë të kuvendit, por ne se kemi bërë këtë, e kemi adresuar përgjegjësinë që kemi, kemi thënë që është e rëndësishme që të jemi bashkë, të jemi të unifikuar, kur vie puna te qeveria përgjegjësia i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi Haxhiu.
Ndërsa rreth pushimit verorë për deputetët, Haxhiu tha se nuk do të ketë pushime pa konstituim të Kuvendit. /KosovaPress/