Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se e sheh pozitivisht faktin që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump pas kaq shumë kohësh e ka përmendur Kosovën.
Krahas kësaj, Krasniqi theksoi se bllokada që po vazhdon si pasojë e kryeneçësisë së Lëvizjes Vetëvendosje është e dëmshme për pozicionin e Kosovës.
Sipas tij, nëse në të ardhmen do të ketë një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një qasje më proaktive në raport me një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mungesa e bashkëpunimit dhe e koordinimit të brendshëm mund ta dëmtojë rëndë qëndrimin dhe interesin shtetëror të Kosovës.
“Është i mirëseardhur fakti që presidenti Trump për herë të parë në shumë e shumë kohë po e përmend Kosovën. Përkundër faktit që prioritetet e diplomacisë dhe politikës së jashtme amerikane tashmë dihen që ndërlidhen me konfliktet kryesore në vend duke përfshirë edhe luftën mes Izraelit dhe Iranit në këtë moment, por edhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe vatrat e tjera të krizat. Unë e shoh pozitivisht faktin që zotri Trump e përmend edhe Kosovën dhe është një nga temat që ai do të merret gjatë mandatit të tij. Por, para se të mendojmë për pozicionin e SHBA-së, neve na takon të mendojmë ku është Kosova sot. Dhe bllokada e cila po vazhdon për shkak të kryeneçësisë së zotrit Kurti dhe LVV-së është e dëmshme edhe për pozicionin e Kosovës sepse nëse në një moment të shpejtë që nuk mund ta dijmë kur është ai moment, ka një kërkesë nga SHBA-të për të pasur një qasje më proaktive në raport me marrëveshjen potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nëse ne nuk i kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi që i dëmton pozicionin e Kosovës”, tha Krasniqi.
Këtë deklarim, Krasniqi e bëri pas dështimit të seancës konstituive për herë të tridhjetë e tretë. /KosovaPress/