A po tërhiqet LeBron James?

Credit: Reuters

Los Angeles Lakers përjetuan një tjetër sezon zhgënjyes pasi u eliminuan në raundin e parë të play-off-eve për të dytin vit radhazi. Sezonin e kaluar, ata humbën ndaj Denver-it në pesë ndeshje, këtë vit, Minnesota i eliminoi në të njëjtën mënyrë.

Këtë herë, zhgënjimi u thellua, veçanërisht pas shkëmbimit të madh në shkurt që solli Luka Doncic-in te Los Angeles në këmbim të Anthony Davis-it.

Tifozët dhe analistët kishin shpresa të mëdha se dyshja LeBron-Luka të paktën do të avanconte përtej raundit të parë.

Megjithatë, me LeBron James që hyn në vitin e fundit të kontratës së tij dhe po i afrohet moshës 41 vjeç, pëshpëritjet për daljen e tij në pension po bëhen gjithnjë e më të forta, të nxitura nga një video enigmatike që ai postoi në mediat sociale.

James është gati të nisë sezonin e tij të 23-të në NBA, duke barazuar numrin në fanellën e tij dhe duke thyer rekordin e Vince Carter për numrin më të madh të sezoneve të luajtura në historinë e ligës.

Megjithatë, ndërsa ai hyn në vitin e fundit të kontratës së tij, me një karrierë të gjatë, një listë mbresëlënëse rekordesh dhe arritjen unike të të luajturit me djalin e tij, Bronny, duket se dalja e tij në pension është afër.

LeBron postoi një video të shkurtër në llogaritë e tij në mediat sociale për të cilën të gjithë flasin. Në të, ai është i rrethuar nga kamera që shkëlqejnë dhe gazetarë që bëjnë pyetje: “A janë të vërteta thashethemet për daljen në pension? Çfarë vjen më pas?”.

A ishte e qëllimshme? Sigurisht.

Postuar pas Ndeshjes 4 të Finales së NBA-të, vetëm tre ditë deri në Ndeshjen 5 në Oklahoma City, LeBron di si të qëndrojë në qendër të vëmendjes.

Finalet kanë qenë emocionuese, por shikueshmëria në televizion po bie dhe sigurisht që ai e di këtë. Postimi i tij i ka bërë tifozët të flasin për të ardhmen e tij. A është thjesht një reklamë e zgjuar për “Nike” apo për një nga sponsorët e tij të tjerë? Apo po aludon për një “vallëzim të fundit” në NBA?

LeBron James

Një gjë është e sigurt: Nëse LeBron largohet, ai nuk do ta bëjë këtë në heshtje.

Ashtu si Kobe Bryant, Dwyane Wade dhe Michael Jordan para tij, ai do të ketë një turne lamtumire të plotë me nderime dhe dhurata nga ekipet rivale dhe tifozët.

Largimi i tij do të shënonte fundin e një epoke përsosmërie, ai, për disa, është padyshim lojtari më i madh i të gjitha kohërave.

Edhe në sezonin e tij të 22-të, LeBron James vërtetoi se ende për të dhënë. Ai luajti në 70 ndeshje të sezonit të rregullt dhe mesatarisht luajti 34.9 minuta, shënoi 24.4 pikë, 8.2 asistime dhe 7.8 ribaunde.

Për këtë performancë, ai fitoi një vend në Ekipin e Dytë All-NBA. Kjo shënon përzgjedhjen e tij të 21-të All-NBA, gjashtë më shumë se lojtarë legjendarë si Kobe Bryant, Tim Duncan dhe Kareem Abdul-Jabbar, të cilët janë të dytët në listë.

Vetëm gjashtë lojtarë të tjerë në historinë e NBA-të kanë arritur 21 sezone dhe LeBron ende po luan në një nivel elitar.

Vitin e kaluar, ai e zgjeroi rekordin e tij për ndeshje radhazi me rezultate dyshifrore në 1,292, e kaloi Jordan-in për numrin më të madh të ndeshjeve me 30 pikë në karrierë (571) me 17 paraqitje të tilla, dhe u bë lojtari më i vjetër që shënon 40+ pikë në një ndeshje. Ai shënoi 42 pikë kundër Golden State më 6 shkurt, në moshën 40 vjeç e 38 ditë.

Ai gjithashtu mbetet lojtari më i ri në historinë e ligës që shënon 40+ pikë në moshën 19 vjeç e 88 ditë gjatë sezonit 2003-04.

Duke parë përpara, LeBron mund të duhet të ndryshojë kontratën e tij ose të pranojë një ulje page për të shmangur taksën e luksit dhe për t’i mundësuar Lakers të ndërtojnë një ekip rreth tij dhe Luka Doncic-it.

Me JJ Redick në krye, ekipi ka nevojë vetëm për një qendër të fortë për të garuar në Konferencën e vështirë Perëndimore.

A mund t’i sjellë kjo Luka-s unazën e tij të parë, LeBron-it të pestën dhe Lakers titullin e tyre të 18-të, duke i barazuar me Boston-in? Vetëm koha do ta tregojë, por së pari, po presim të shohim nëse ajo video aludonte për tërheqje nga basketbolli apo nëse LeBron thjesht po na mbante në gatishmëri. /Albanianpost.com

Read Previous

Pse po vonohet vendimi për 115 akuzat e Manchester Cityt?

Read Next

Dështimi i 33-të, përsëri nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës