Pse po vonohet vendimi për 115 akuzat e Manchester Cityt?

Shpenzimet e mëdha të Manchester Cityt në këtë afat kalimtar sugjerojnë se klubi “duhet ta dijë” tashmë rezultatin e çështjes me 115 akuzat, sipas ish-sulmuesit të Liverpoolit, John Aldridge. 

Skuadra e Pep Guardiolës është ende në pritje të një vendimi për rastin ndaj saj që lidhet me shkelje të rregullave financiare në Ligën Premier. 

Vetë Guardiola kishte pranuar në fillim të vitit se priste një vendim deri në mars, por ende nuk ka asnjë përfundim zyrtar. 

Në ndërkohë, City ka vazhduar të shpenzojë shumë në afatin kalimtar, duke sjellë emra si Omar Marmoush, Rayan Cherki, Rayan Ait-Nouri dhe Tijjani Reijnders në ‘Etihad Stadium’. 

Pas një sezoni pa trofe, Guardiola po përpiqet të ristrukturojë skuadrën, por Aldridge beson se kjo valë transferimesh tregon se klubi e njeh tashmë rezultatin e çështjes. 

Sipas tij, gjithashtu, kjo sjellje lë të kuptohet se përfundimi do të jetë në favor të Cityt. 

“Nuk mund ta besoj që ka kaluar kaq shumë kohë pa një vendim. Shpenzimet e mëdha të Cityt që nga fillimi i vitit 2025 më bëjnë të dyshoj se ata tashmë e dinë se çfarë do të ndodhë”, tha Aldridge. 

“Ose po bëjnë lëvizje parandaluese për të siguruar lojtarë në rast se goditen me ndalim transferimesh, ose e dinë që do të shpallen të pafajshëm dhe po planifikojnë një epokë të re dominimi”. 

“Nottingham Forest dhe Everton u ndëshkuan me zbritje pikësh për thyerje të rregullave financiare të Ligës Premier, por akuzat ndaj Cityt janë shumë më serioze, dhe kjo ka ushqyer thashethemet se dënimi mund të jetë drastik”. 

“Unë nuk besoj se Guardiola do ta kishte rinovuar kontratën në nëntor, nëse do të mendonte se klubi do të ndëshkohej rëndë me zbritje pikësh apo embargo transferimesh”, përfundoi ai./Telegrafi/

Read Previous

Barcelona vendos të aktivizojë klauzolën e lirimit të Nico Williams

Read Next

A po tërhiqet LeBron James?