Kryeministri kroat: Shqipëria është duke bërë një punë të mirë me reformat

Në forumin e Pragës, Kryeministri kroat Andrej Plenkovic ka vlerësuar reformat e Shqipërisë.

“Shqipëria është duke bërë një punë të mirë me reformat, Mali i Zi ka avancuar më tepër se të tjerët në rajon. Gjithsesi ka ende shumë punë për të bërë për secilin nga këto shtete ballkanike, për t’u anëtarësuar plotësisht në familjen evropiane”, tha Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Plenkoviç shprehet se shtete si Shqipëria apo Mali i Zi nuk kanë pse të presin të tjerët që janë prapa me integrimin.

“Për ne, parim kryesor për anëtarësimet e reja në familjen evropiane duhet të jenë meritat individuale dhe jo anëtarësimi në bllok i disa shteteve kandidate në një kohë siç ka ndodhur vite më parë. Ne duhet t’i shpërblejmë ato shtete që i përmbushin më shpejt kushtet dhe bëjnë reforma dhe negociata të suksesshme. Nuk duhet t’i lëmë shtetet që kanë ecur më shpejt të presin për të tjerët që nuk bëjnë hapa të tillë me reformat e integrimit”, tha Plenkoviç.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina – vetëm Kosova nuk është ende shtet kandidat për anëtarësim në BE. /tvklan.al

Read Previous

​Revolucioni i Tares te Milani, synohet mesfusha me dyshen Jashari-Xhaka

Read Next

​Konfirmohen vatra të reja të murtajës së bagëtive në Shqipëri