“Të Vegjlit e Gjakovës” me Arsa Saraqini, nga nesër në TV Syri Vision
Irani së shpejti do t’i paraqesë Shteteve të Bashkuara një kundërpropozim për një marrëveshje bërthamore nëpërmjet Omanit.
Kështu ka thënë të hënën zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, në përgjigje të një oferte amerikane që Teherani e konsideron “të papranueshme”.
Reuters raportoi më parë se Teherani po hartonte një përgjigje negative ndaj propozimit të SHBA-së, i cili u paraqit në fund të majit.
Një diplomat iranian tha se oferta e SHBA-së dështoi të zgjidhte mosmarrëveshjet mbi pasurimin e uraniumit në tokën iraniane, dërgimin jashtë vendit të të gjithë rezervave të uraniumit të pasuruar shumë të Iranit dhe hapat për të hequr sanksionet e SHBA-së.
“Propozimi i SHBA-së nuk është i pranueshëm për ne. Nuk ishte rezultat i raundeve të mëparshme të negociatave. Ne do t’ia paraqesim propozimin tonë palës tjetër nëpërmjet Omanit pasi të finalizohet. Ky propozim është i arsyeshëm, logjik dhe i balancuar”, ka thënë Baghaei.
Baghaei shtoi se ende nuk ka ndonjë detaj në lidhje me datën e një raundi të gjashtë të bisedimeve bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së.
Javën e kaluar, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, e hodhi poshtë propozimin e SHBA-së si kundër interesave të vendit, duke u zotuar të vazhdojë pasurimin.
Gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018, presidenti i SHBA-së, Donald Trump hoqi dorë nga një pakt bërthamor i vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive dhe rivendosi sanksionet që kanë dëmtuar ekonominë e Iranit. Irani u përgjigj duke përshkallëzuar pasurimin përtej kufijve të atij pakti. /Telegrafi/