Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit e partive politike kanë mbajtur sot një takim konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Në takim ishin kryetari i PDK-së, Memi Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj nga Nisma, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, Faton Peci nga Partia Guxo dhe përfaqësuesit e komuniteteve.
Lëvizja Vetëvendosje në këtë takim u përfaqësua nga nënkryetarja, Albulena Haxhiu dhe jo nga kryetari Albin Kurti. Takimi u bojkotua nga Lista Serbe.
Kreu i AAK-së ka njoftuar se ka propozuar që 12 tetori të jetë datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar Haradinaj.
Mësohet se përveq AAK-së edhe partitë e tjera kanë propozuar 12 tetorin si datë për zgjedhjet lokale.
Ndryshe nga Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi u tha se Osmani ka dëgjuar propozimet dhe në ditët në vijim do të caktoj datën.
“Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, u tha në njoftim. /Telegrafi/