Me 751 paraqitje me fanellën e Bayern Munich, ku ka realizuar 248 gola dhe 274 asist, sulmuesi Thomas Muller do t’i thotë lamtumirë klubit që ishte shtëpia e tij për 25 vjet radhazi. Eventi i fundit për të do të jetë Botërori i klubeve që nis pas dy javësh.
“Klubi na dha disa ditë pushim për të marrë frymë dhe unë e shijova në maksimum. Javët e fundit, mes kampionatit dhe shpalljes sime të lamtumirës, kanë qenë shumë intensive. Ky pushim më ka lejuar t’i përkushtohem gjërave që shpesh neglizhohen”, tha Muller, tashmë 35 vjeç.
Synimi i fundit i madh për sulmuesin është pikërisht botërori i klubeve: “Tani do t’i rikthehemi normalitetit, për t’u përgatitur për Botërorin e klubeve. Janë planifikuar seancat e para të stërvitjes fizike: qëndrueshmëri, vrapime me intervale, forcimi i muskujve…”.
“Së shpejti do të nisemi për në Amerikë, për turneun tim të fundit si lojtar i Bayern. Ka disa gjëra që po i pres me padurim. Një nga pikat kryesore do të jetë ndeshja kundër Boca Junior në Majemi.
Si futbollist evropian, nuk ndodh shpesh që të përballesh me klube të tilla historike. Kjo e bën zemrën e një futbollisti të rrahë më shpejt”, tha Muller.
“Këtu gjërat bëhen vërtet interesante. Ajo që më ka pëlqyer gjithmonë në turne si Kupa e Botës, Europiani ose tani Kupa e Botës për klube, është që ju të shkoni në një lloj “konklave” si ekip. Janë 4-6 javë bashkëpunim intensiv. Kalojmë shumë kohë së bashku dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha si grup”, tha Muller.
“Është gjithmonë një përvojë e mrekullueshme. Ndoshta mund të kemi pak emocione për futbollin, përpara Kupës së Botës 2026. Të shohim si do të shkojë, por dua që turneun tim të fundit me këtë fanellë ta mbyll me trofe”, tha Thomas Muller. /Telesport.al/