Bildt: Mungesa e një marrëveshjeje paqeje për Kosovën është pengesë madhore për rajonin

Ish-kryeministri i Suedisë dhe i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Ish-Jugosllavinë, Carl Bildt, ka deklaruar se mungesa e një marrëveshjeje paqeje për Kosovën mbetet një problem serioz për stabilitetin e rajonit, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë një paneli diskutimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Dayton të SHBA-së, Bildt theksoi nevojën urgjente për një marrëveshje përfundimtare.

“Duhet të ketë një marrëveshje paqeje për Kosovën në një moment të caktuar, sepse fakti që lufta në Kosovë përfundoi pa një marrëveshje paqeje është një problem shumë i madh”, deklaroi ai.

Ai kujtoi përvojën nga procesi i Marrëveshjes së Daytonit për Bosnjën, duke paralajmëruar se manovrimet politike të pasluftës shpesh ishin vetëm një vazhdim i konfliktit ushtarak me mjete të tjera.

“Kjo gjë është zbehur, por nuk ka zhdukur plotësisht. Prandaj, rajoni duhet të mësojë nga pjesa tjetër e Evropës, e cila ka kaluar nëpër histori, tmerre dhe luftëra,” tha Bildt, duke theksuar nevojën për stabilitet dhe pajtim afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Kapet në Merdare i dënuari për “vjedhje të shërbimeve komunale”

Read Next

Të paktën 8 të vr*rë dhe mbi 30 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë