Tregjet evropiane kanë nisur ditën në territor pozitiv, të udhëhequra nga Frankfurt (+0.29%), Parisi dhe Londra (+0.21%), në një kohë kur investitorët po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në ekonominë amerikane pas vendimit të Moody’s për të ulur vlerësimin e kreditit të SHBA-së, shkruan ANSA.
Në fokus mbesin edhe bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës për një zgjidhje të mundshme të konfliktit. Vëmendja po ashtu është e përqendruar në politikën tregtare të Shteteve të Bashkuara, ndërsa priten lëvizje të reja lidhur me tarifat që parashikohen për Evropën.
Ndërkohë, tregjet aziatike mbyllën sesionin me rezultate të përziera: Hong Kongu në rritje me +1.5%, Shanghai +0.6% dhe Shenzhen +0.8%. Në anën tjetër, Seuli u dobësua lehtë me -0.06%, ndërsa Mumbai ra me -0.3%. Lëvizje minimale pati në Tokio, ku indeksi u rrit në +0.08%.
Në tregun valutor, jeni japonez ka ndalur fazën e forcimit ndaj dollarit dhe euros, duke u tregtuar përkatësisht në 144.46 kundrejt dollarit dhe 162.61 ndaj euros.
Në tregun e obligacioneve, kthimi i bonove 30-vjeçare japoneze u rrit me gjashtëmbëdhjetë pikë bazë, duke arritur në 3.12% – niveli më i lartë që nga viti 1999.
Sesioni i sotëm karakterizohet nga mungesa e të dhënave makroekonomike, por pritet një sërë deklaratash nga zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane dhe Rezervës Federale të SHBA-së./kp