Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas dështimit të përpjekjes së 18-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërrojë kandidaten për kryeparlamentar, derisa e vlerësoi gjendjen e shtetit si emergjente.
“Edhe sot patën përpjekjen e njëjtë që të shtyhen këto seanca dhe të mbahen në kundërshtim me rregulloren një herë në javë, por vullneti i partive tjera ishte që kjo të mos ndodhë. Sa na përket neve si PDK, nuk duhet të pritet as dy ditë, sepse rregullorja thotë brenda 48 orëve, por kjo mund të ndodhë brenda 24 orëve dhe nuk do të ishte fare e gabueshme nëse mblidhemi çdo ditë, sepse ky do të ishte parasegjithash një detyrim që e kemi para votuesve dhe ndoshta një presion ndaj njëri-tjetrit që të dilet nga kjo situatë, por nuk pres që një gjë e tillë të ndodhë për shkak të faktit tashmë të dëshmuar që Vetëvendosje nuk është e interesuar të zhbllokojë situatën”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka shprehur keqardhje para qytetarëve të Republikës së Kosovës për këtë situatë, e që sipas tij është bërë e tepërt dhe e cila po e dëmton vendin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
“I bëj thirrje edhe një herë LVV-së dhe liderit të saj, Kurti, që ta ndërrojnë kandidaten dhe të vijnë me një kandidat në mesin e atyre që e dinë që e kanë që mund të marrë shumicën për t’u bërë kryetare apo kryetar e kuvendit dhe të shkojmë tutje në konstituimin e Kuvendit të Kosovës por edhe në afatet kushtetuese për themelimin e qeverisë. Sepse kështu si jemi, kemi mbetur një shtet në gjendje emergjente esencialisht meqenëse nuk kemi as qeveri legjitime e as kuvend funksional”, shtoi Krasniqi./rtklive