Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, derisa është deklaruar rreth letrës që kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën e ka lutur për koalicion qeverisës, ka thënë se deri te kjo ftesë është ardhur pasi që shihet qartë se është e pamundur të arrihet ndryshe te zhbllokimi i kësaj situate të krijuar.
Murati ka thënë se LVV-ja është e hapur për bashkëpunim dhe pasi që, sipas tij, ky subjekt politik ka kërkuar marrëveshje politike, është ftuar për diskutim nga ana e Kurtit.
“Çështja e ftesës për bashkëpunim ekziston në vazhdimësi. Jemi të hapur për bashkëpunim. Për faktin që ka pasur deputetë nga LDK-ja që janë deklaruar se për të pasur bashkëpunim të tillë nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit por duhet të ketë një dakordim politik, ka rrjedhur edhe ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar Lumir Abdixhikut që në këtë rast fton për të diskutuar për bashkëpunim politik në mënyrën siç ata pretendojnë, ne jemi të gatshëm si fitues të zgjedhjeve që të gjejmë mënyra. Shpresojmë të ketë gatishmëri edhe nga subjektet tjera për ta konstituar Kuvendin dhe për t’i formuar institucionet e vendit. Ftesa është mbi bazën e asaj se çka kanë deklaruar vetë përfaqësuesit e LDK-së, që kërkojnë marrëveshje politike, për këtë ka ftuar edhe kryeministri Kurti që të ketë marrëveshje politike”, ka thënë ai.
Murati ka shtuar se nuk beson që një letër të tillë do të ketë edhe për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
“Nuk besoj se do të ketë një letër të tillë (për Memli Krasniqin), po presim njëherë se çka do të jetë përgjigja e pastaj do të diskutojmë në kuadër të organeve të subjektit që e kemi. Besoj se mund të shihni qartë se për çka është ftesa, deri te kjo ftesë kemi ardhur pasi kemi parë që në pamundësi që të arrihet deri te një dakordim, fillimisht për konstituim të Kuvendit, nuk jemi të interesuar që të vazhdojmë me këtë situatë dhe jemi të interesuar për zhbllokim”, ka thënë ai. /Koha.net/