Në prag të ndeshjes kundër Lecce, trajneri i Napolit, Antonio Conte foli në konferencë për shtyp.
Kjo javë ka ndikim për titullin dhe mbijetesën. A është ndeshja më e rëndësishme e vitit? Nuk është, sepse kanë mbetur edhe 4 ndeshje për të gjithë. Si për ne, ashtu edhe për Lecce nuk mund të quhet ndeshja e vitit, por padyshim që është shumë e rëndësishme për objektivat e të dyja skuadrave.
Keni eksperimentuar me pothuajse të gjitha skemat, por skuadra ka qenë solide kohët e fundit. A është momenti për të ndryshuar? Ne gjithmonë kemi gjetur formulën e duhur në situata emergjente. Në fillim mund të mos ishte e duhura, me Monzën e nisëm në një mënyrë dhe e përfunduam ndryshe, nuk ka formula të pagabueshme. E di mirë që gjithçka varet nga rezultati: nëse fiton, ke zgjedhur formulën e saktë, por kjo nuk është mënyra e duhur për ta parë. Ne përpiqemi të shfrytëzojmë më të mirën nga çfarë kemi, duke aktivizuar lojtarët më të mirë. Duam të vazhdojmë me punën e mirë që kemi bërë kohët e fundit. Nuk kemi ndryshuar shumë, kemi bërë disa rregullime, por ideja, loja dhe përkushtimi kanë mbetur. Përndryshe, nuk do të kishim këto statistika dhe mbrojtjen më të mirë në Europë, pa studim dhe punë të palodhur.
Ktheheni në Lecce, ku e keni nisur karrierën. Si e përjeton këtë personalisht në planin njerëzor? Është gjithmonë një ndeshje ndryshe nga të tjerat. Aty kam lindur, aty jam bërë burrë. Ndjenjat që kam për Lecce dhe për leccezët nuk do t’i ndryshojë asgjë dhe askush, sado që mund të thuhet apo të mendohet. Do të mbetem i lidhur përgjithmonë me atë vend. Edhe pse jetoj në Torino, prindërit dhe shtëpia ime janë në Lecce. Gjatë vitit pa angazhime kam qëndruar shumë atje. Është një qytet i bukur, kam miq. Padyshim që është një ndeshje ndryshe, sepse aty jam rritur, në atë stadium dhe klub, para se të largohesha.
Dje treguat shumë gatishmëri ndaj tifozëve. A ka më shumë përgjegjësi për shkak të mundësisë që keni tani? Përgjegjësinë e kemi pasur që nga dita e parë. E kam thënë gjithmonë që më është dhënë mundësia. Objektivi ka qenë gjithmonë t’iu dhurojmë emocione tifozëve. Objektivi kryesor është arritur me kohë, jemi në Champions dhe e dini sa rëndësi ka ekonomikisht kjo për të gjitha klubet e mëdha. Objektivi tjetër për të cilin kam folur ishte të shqetësonim Interin për titullin. Edhe ky objektiv është realizuar, sepse po e shqetësojmë vërtet. Tani duhet të kuptojmë çfarë lloj shqetësimi duam t’i japim. A është një shqetësim i rëndësishëm apo thjesht diçka që e mbajti kampionatin pezull për pak kohë…
Megjithatë, tani flisni si kryesues i Serie A… Mos harroni që dy javë më parë ishim 3 pikë prapa Interit. Kjo duhet të shërbejë për të ruajtur qetësinë dhe përulësinë, që nuk duhet humbur kurrë nga ambienti i Napolit. Duhet të kuptohet që jemi të gjithë bashkë, pjesë e diçkaje të papritur, që askush nuk e kishte imagjinuar. Por duhet të qëndrojmë të bashkuar, të përulur dhe me këmbë në tokë. Kanë mbetur edhe 4 ndeshje, edhe unë kam përjetuar si fitore, ashtu edhe humbje të titullit në javën e fundit. Vetëm një skuadër fiton, por djemtë kanë punuar me përulësi, pa ëndrra të kota, rëndësi ka thelbi. /Telesport.al/