Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në votimin për kryetarin e Kuvendit në rast se edhe këtë herë propozohet një proces me votim të fshehtë.
Para gazetarëve, Çitaku tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se nëse përsëritet metoda e njëjtë e votimit, veprimi i partisë do të jetë i njëjtë.
“I ngjashëm ( do të jetë veprimi i PDK-së)”, ka thënë Çitaku.
Sot nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu ka dështuar për gjashtë herë të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Ndërsa kjo është hera e dhjetë që tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Në seancën e fundit kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari propozoi votim të fshehtë për kryeparlamnetarin, por kjo mënyrë e votimit u kundërshtua nga partitë opozitare. /KosovaPress/