Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë” ka dorëzuar sot edhe zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Padia lidhet me vendimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, të cilin vendim grupi e cilëson si të padrejtë dhe në dëm të qytetarëve.
Qytetarët e Kosovës do të paguajnë 16.1% më shumë për energjinë elektrike nga data 1 maj, pasi ZRRE vendosi ngritjen më 16 prill, pavarësisht reagimeve dhe protestave të qytetarëve.
Për këtë vendim ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike, madje pati edhe protesta.
Por, shtrenjtimi i energjisë elektrike nuk do të zbatohet në katër komunat veriore, pasi furnizimi dhe faturimi bëhet nga kompania serbe Elektrosever, e licencuar në vitin 2022 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
ZRRE-ja ka sqaruar se nuk përcakton tarifat për Elektrosever, pasi kjo kompani operon në bazë të një marrëveshjeje të veçantë dhe ka autonomi në caktimin e çmimeve për konsumatorët që i furnizon. /KosovaPress/