Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ende nuk filluar shpërndarjen e mjeteve nga Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike për bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia COVID-19.
Në bazë të Ligjit, i cili në Kuvendin e Kosovës është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka ndarë 222 milionë euro për sektorin privat, shëndetësor, skema sociale, arsim dhe kulturë.
Kuvendi i Kosovës më 22 mars ka zgjedhur qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) thonë se, “kostoja e zbatimit të këtij Ligji nuk është vlerësuar nga propozuesi sipas procedurave në fuqi dhe si rrjedhojë edhe është zbatuar vetëm pjesërisht për shkak të kostos së lartë buxhetore të pambuluar me buxhetin e shtetit”.
“Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është duke u shqyrtuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve duke marrë parasysh edhe rrethanat e reja. Plani për Rimëkëmbjen Ekonomike nga Qeveria Kurti do të publikohet kur të kalohet gjendja emergjente”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë.
Por, kur pritet të fillojë shpërndarja e mjeteve të përfshira në Ligj, për sektorë të ndryshëm, zyrtarë të kësaj ministrie, deri në momentin e publikimit e këtij teksti, nuk kanë dhënë ndonjë informacion.
Në bazë të Ligjit, për sektorin privat parashihet subvencionim i tri pagave për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës, subvencionim të eksportit për prodhuesit vendorë, stoqeve të qumështit, gastronomisë, mbështetje për ndërmarrësi dhe mjete për Fondin Kosovarë për Garanci të Kredive.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, konsideron se ministri aktual, Hekuran Murati ka mundësi të vazhdojë shpërndarjen e fondeve për sektorë të caktuar.
Ajo tregon se gjatë kohës sa ka qenë në ministri, është formuar një grup në nivel institucional, që ka qenë duke përgatitur kriteret për kompensimin e pagave për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës.
Në bazë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike thuhet se nga ana e Buxhetit të Kosovës paguhen pagat për punonjësit e sektorit privat për periudhën tetor-dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19, janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtë se tre muaj. Shuma e pagesës për këta punëtorë është 300 euro për një muaj.
“Ky grup ka qenë duke punuar dhe kanë qenë mjetet e ndara. Mjete të ndara ka pasur për sektorë të ndryshëm. Janë 5 milionë euro të ndara që të lëshohen nën ombrellën e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Pjesa dërmuese është e buxhetuar dhe i ka mjetet e ndara. Unë besoj se në këtë periudhë ka mjete në buxhetin e Kosovës për t’i dalë në ndihmë disa qytetarëve dhe bizneseve”, tha Bajrami.
Ministria e Financave, në kohën që është udhëhequr nga Hykmete Bajrami ka ndarë rreth 100 milionë euro nga ky Ligj, por vetëm rreth 30 milionë euro janë shpenzuar për sektorin privat, kurse pjesa tjetër për sistemin e shëndetësisë, skema sociale, arsim dhe kulturë./Telegrafi/