Kryetari i Komunës së Lipjanit kërkon 10 mijë euro kompensim nga gazetari Granit Duriqi, përmes padisë për shpifje ndaj tij

Me pretendimin se gazetari Granit Duriqi, përmes disa shkrimeve të publikuara në portalin “Ulpiana Press”, ka shpifur ndaj tij, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti po kërkon nga i njëjti kompensimin e dëmit në shumën prej 10 mijë euro.

Në seancën e mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Lipjan, përfaqësuesi i paditësit Ahmeti, avokati Sabri Kryeziu ka thënë se i padituri, me 22 tetor 2018, në portalin “Ulpiana Press”, kishte shpifur duke publikuar fakte të pavërteta, me titull “Pushteti  Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mira euro për dreka”, duke përmendur shifrën 15,000 euro dhe foto me përmbajtje nënçmuese.

Publikimi i kartëmonedhave prej 500 euro, pjatat me mish dhe sende tjera nga ana e të paditurit, sipas përfaqësuesit të tij, e kishin dëmtuar rëndë prestigjin e paditësit dhe familjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Kryeziu, për këto shpifje dhe fyerje nga ana e të paditurit Duriqi kishte reaguar edhe Komuna e Lipjanit, e cila kishte dhënë sqarime se për 8 muaj kishte shpenzuar vetëm 317.81 euro.

Ai ka thënë se pas publikimit të këtyre shpifjeve, paditësi kishte kërkuar nga i padituri që t’i demantojë këto shpifje, mirëpo sipas tij, i padituri këtë nuk e kishte bërë as pas tre vitesh nga publikimi i këtyre shpifjeve.

Për ti vërtetuar këto si të pavërteta, avokati Kryeziu i ka propozuar gjykatës që të administrohen si prova fotot e publikuara nga ana e të paditurit Duriqi, reagimi i Komunës së Lipjanit, raporti i monitorimit te OJQ-së “Polis”, kundërshtimi i paditësit dhe kërkesa për demantim, sqarimi publik i OJQ-së “Polis”, si dhe caktimin e një eksperti të psikiatrisë që të vlerësojë dhimbjet shpirtërore të paditësit, si pasojë e shpifjeve nga ana e të paditurit.

Ai e ka kundërshtuar përgjigjen në padi nga ana e të paditurit Duriqi, pasi sipas tij nuk ishte paraqitur brenda afatit ligjor dhe se në këtë përgjigje, i padituri iu ishte referuar të dhënave që i kishte publikuar asamblisti Argjend Tasholli dhe ishte thirrur në imunitetin.

Mirëpo, i padituri Granit Duriqi ka kërkuar nga gjykata që për shkak se i autorizuari i tij, avokati Alban Arifi nuk kishte qenë prezent në këtë seancë, e njëjta të shtyhet për një ditë tjetër.

Por, edhe pas kundërshtimit të shtyrjes së kësaj seance nga ana e avokatit Kryeziu, gjykatësi i rastit Isa Gashi aprovoi propozimin e të paditurit Duriqi për shtyrje të seancës.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 20 maj 2021, në ora 9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, me 13 dhjetor 2018, kishte refuzuar propozimin e propozuesit të sigurimit Imri Ahmetit, për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me anë të së cilës, Ahmeti kishte kërkuar që t’i ndalohet kundërshtarit të sigurimit, Granit Duriqi, në portalin “Ulpiana Press”, që të përhap në vazhdim informacionin e pavërtetë me përmbajtje, shpifje dhe fyerje në drejtim të propozuesit të sigurimit.

I autorizuari i paditësit, aktvendimin e shkallës së parë e kishte atakuar në Gjykatë të Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe ligjit material, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën dhe çështjen ta kthej në rivendosje dhe rigjykim në shkallë të parë, apo të ndryshoj aktvendimit e atakuar./Telegrafi/

Read Previous

Ndërron jetë në moshën 51 vjeçare i burgosuri kosovar

Read Next

Ilir Meta: të ‘fortëve’ do t’u sekuestrohen edhe pulat