Në krah të Hansi Flick, në konferencën për shtyp të Barcelonës, u paraqit edhe Alejandro Balde. Mbrojtësi i majtë foli për ndeshjen kundër Atalantës në Champions League. Më poshtë gjeni përmbledhjen e deklaratave të tij:
Çfarë ndeshjeje prisni?
Do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Edhe pse jemi tashmë të kualifikuar, përballemi me një rival të madh. Ndodhemi në një moment të mirë, fitorja ndaj Valencias na dha besim për këtë ndeshje. Duam tri pikët.
Ansu Fati dhe Lamine Yamal janë miqtë tuaj…
Ansu është një nga miqtë e mi më të mirë, kaloj shumë kohë me të. Ai po kalon një situatë të komplikuar, por ka shumë dëshirë për t’u rritur. Jam i sigurt që do të kthehet më i fortë, sepse ka talent të jashtëzakonshëm. Sa i përket Lamine, çfarë mund të themi? Ai tashmë është një nga më të mirët në botë dhe mund të përmirësohet akoma më shumë.
A po mendoni për rekordin e golave në një sezon?
Këtë sezon kemi shënuar shumë, por nuk e kemi në mendje rekordin. Synimi ynë është të mposhtim rivalët dhe të fitojmë tituj, sepse në fund, kjo është ajo që ka rëndësi.
A ka racizëm në futbollin spanjoll?
Nëse 3-4 persona të ofendojnë, nuk mund të përgjithësohet krejt populli spanjoll. Kur merr ofendime raciste, mjafton t’i raportosh. Personalisht nuk shqetësohem nga kjo gjë, jam me ngjyrë dhe ndihem krenar për këtë. Mjafton të denoncohet racizmi dhe kaq.
A është e rëndësishme të kesh shumë lojtarë nga akademia në skuadër?
Kuptohemi shumë mirë… Jemi të gjithë të rinj: Pedri, Cubarsi, Lamine, unë… Duam të rritemi dhe të fitojmë tituj. Jemi të rinj, argëtohemi edhe jashtë fushe. Kjo është një nga karakteristikat e mira të skuadrës sonë.
Tebas tha që ‘El Clasico’ mund të luhet jashtë shtetit…
Nuk mendojmë për këtë, përqendrohemi ndeshje pas ndeshjeje. Sa për “El Clasico”, unë shpresoj ta luaj në shtëpi, përpara tifozëve tanë.
Si e shihni Inaki Pena, që po luan më pak për shkak të Szczesny?
E shoh mirë. Kam kaluar shumë kohë me të. Ai është një nga punëtorët më të mëdhenj në ekip, i pari që shkon në palestër dhe i fundit që largohet. Janë gjëra që ndodhin në futboll, e rëndësishme është si përshtatesh.
A është ky, grupi më i mirë që keni pasur?
Grupi ka qenë gjithmonë shumë i bashkuar. Jemi të rinj dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Ndihemi mirë së bashku, kjo është një nga gjërat më të bukura të ekipit.
Në çfarë aspekti mund të përmirësoheni?
Në shumë gjëra. Jam vetëm 21 vjeç, por në këtë moshë mund të rritesh gjithmonë, si mendërisht, ashtu edhe fizikisht, në mbrojtje dhe në sulm.
A mund të bëni gjëra të mëdha këtë edicion në Champions?
Kemi një ekip të madh për të bërë gjëra të mëdha. Fituam Superkupën, jemi në formë të mirë, ende kemi shumë ndeshje në kampionat. Nuk duhet të mendojmë për këtë, por kemi një skuadër të fortë. /Telesport.al/