Kupat e Evropës 2024-25 rinisën në vitin e ri dhe rinisi edhe gara për dy vendet shtesë në kompeticionin më të mirë evropian për klube, UEFA Champions League.
Kjo formë e veçantë, kujtojmë, u prezantua me revolucionin e formatit të Champions League. Turneu, siç dihet tashmë, do të ketë pjesëmarrjen e 36 skuadrave, me një grup të vetëm dhe tetë ndeshje (kundër po aq kundërshtarëve të ndryshëm) për çdo ekip.
Dy nga katër vendet shtesë, krahasuar me 32 të sezonit të kaluar, iu caktuan dy Federatave që arritën renditjen më të mirë të vendeve në sezon. Në këtë rast, një vend shkoi për Italinë dhe tjetri për Gjermaninë.
Si paraqitet situata në sezonin aktual?
Teksa i afrohemi raundit të fundit të fazës së ligës në Champions League, si dhe asaj në Europa League renditja për vendet shtesë po merr formë dalëngadalë. Kujtojmë se Conference League e ka mbyllur fazën e ligës.
Anglia është liga më e avantazhuar për të marrë vendin shtesë aktualisht duke kryesuar me 15 715 pikë.
Premier League përfaqësohet nga Liverpool-i, Arsenal-i, Aston Villa dhe Manchester City në Champions League. Manchester United dhe Tottenham-i në Europa League. Chelsea në Conference League.
Deri më tani të gjitha ekipet angleze janë në garë ose kualifikuar për raundet e mëtejshme në Kupat e Evropës.
Në vendin e dytë gjendet Italia me 14 469 pikë. Serie A përfaqësohet nga Inter-i, Milan-i, Atalanta dhe Juventus-i në Champions League. Bologna u eliminua zyrtarisht nga kompeticioni. Në Europa League janë Lazio dhe Roma. Ndërsa, në Conference League është Fiorentina.
Spanja shfaqet në vendin e tretë me 13 857 pikë, Portugalia e katërta me 12 450 pikë, Belgjika e pesta me 12 100 pikë dhe Gjermania e gjashta me 11 421 pikë.
Si llogariten pikët e renditjes?
Çdo klub që merr pjesë në kupat evropiane mund të fitojë pikë në bazë të performancës. Ekipet që luajnë në Champions League mund të fitojnë më shumë pikë në përgjithësi se ato në Europa ose Conference League, me një maksimum prej 29.5, 23 dhe 20.5 pikësh respektivisht.
Pikët fitohen si duke barazuar ashtu edhe duke fituar ndeshjet e kompeticionit, por pikë bonus jepen edhe për shumicën e raundeve në fazën e eliminimit direkt dhe, nga ky sezon, bazuar në pozicionin në renditjen e vetme të tre garave të UEFA-s për klub.
Pikët përfundimtare të renditjes së vendeve të UEFA-s llogariten më pas duke shtuar numrin total të pikëve të mbledhura nga çdo klub i një federate të caktuar në garat evropiane të sezonit dhe duke i pjesëtuar ato me numrin e ekipeve pjesëmarrëse. /Albanianpost.com