Sipas një sondazhi të agjencisë “Reuters/Ipsos”, i cili u mbyll të martën, rreth 47 për qind e amerikanëve kanë qëndrim miratues ndaj presidencës së Donald Trumpit, kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, shenjë e një vendi të polarizuar pas fitores së republikanit në zgjedhjet e nëntorit.
Sondazhi, i zhvilluar të hënën dhe të martën pas inaugurimit të Trumpit si president, tregoi se popullariteti i miliarderit është më i lartë sesa që ishte gjatë pjesës më të madhe të mandatit të parë në periudhën 2017 – 2021, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, sondazhi gjithashtu tregoi se amerikanët tashmë ishin të pakënaqur me disa prej lëvizjeve të para të presidentit të ri. Rreth 58 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se Trumpi nuk duhet t’i falë të gjithë njerëzit e dënuar për krime gjatë sulmit ndaj Capitol-it më 6 janar 2021.
Trumpi e bëri pothuajse saktësisht këtë gjë – duke i falur shumicën e rreth 1.600 personave të akuzuar për pjesëmarrje në kryengritje, ndërsa iu dha fund dënimeve ndaj 14 udhëheqësve të trazirës – disa orë pasi e filloi mandatin e dytë, përderisa sondazhi ishte duke u zhvilluar.
Vetëm 29 për qind e pjesëmarrësve në sondazh u pajtuan me mënyrën se si Trumpi ishte duke e trajtuar politizimin e perceptuar të sistemit të drejtësisë. Ai ka thënë se mund ta përdorë sistemin e drejtësisë për hakmarrje kundër rivalëve politikë.
Përshtypja e pjesëmarrësve në sondazh dukej më pozitive rreth qasjes së Trumpit ndaj çështjeve të tjera. Rreth 46 për qind e tyre u pajtuan me trajtimin që Trumpi po ia bën çështjes së emigrantëve, temë të cilën shumë amerikanë do të donin ta shihnin si prioritet të lartë të administratës së re.
Rreth 58 për qind e pjesëmarrësve në sondazh u pajtuan me deklaratën se Shtetet e Bashkuara duhet që “në masë dramatike ta zvogëlojnë numrin e emigrantëve që lejohen për të kërkuar azil në kufi”, duke sinjalizuar përkrahje në dukje për veprimet e hershme të Trumpit në pushtet për të pezulluar një procedurë që e lejonte paraqitjen e aplikacioneve për azil në kufirin e ShBA-së. /Nacionale/