Zannieri: Trumpi do ta ketë në fokus ekonominë, por s’pres iniciativë të madhe rreth Kosovës

Lamberto Zannieri, diplomat italian dhe ish-shef i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka folur në një intervistë rreth zhvillimeve të fundit në rajon dhe kursin potencial të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ndaj Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Zannieri ka theksuar se administrata Trump do të fokusohet më shumë në çështjet ekonomike, apo në normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikurse në mandatin e parë mes viteve 2018-2021, duke shtuar se nuk pret të ketë ndonjë iniciativë të madhe drejt arritjes së njohjes reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Nuk pres iniciativë të madhe sa i përket Kosovës, do të jem i lumtur nëse do të jetë ndryshe. Nëse ka lëvizje, mund të jetë ajo që Ballkani Perëndimor shikohet nga një perspektivë gjeopolitike. Në këtë kontekst, ndoshta mund të arrihen marrëveshje, ku amerikanët, përveç evropianëve, do të luanin një rol më të madh”, ka thënë ai.

Tek ka nënvizuar rëndësinë e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka potencuar se një prej problemeve kryesore në këtë proces është ndarja brenda BE-së, ku disa shtete refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Derisa punoja në Kosovë, politika e OKB-së dhe qëllimi im ishte përfshirja e BE-së, sepse ajo ka më shumë ndikim dhe diçka për të ofruar. Kështu është edhe sot, por ka shumë probleme: BE-ja është ende e ndarë, dhe ka vende që nuk e njohin Kosovën”.

Ndryshe, shumë analistë kanë ngritur pikëpyetje se ku do ta pozicionojë Trumpi rajonin në listën e prioriteteve të politikës së jashtme përballë luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe konflikteve në Lindjen e Mesme. Në çfarë mënyre do të veprojë lojtari kryesor global nën lidershipin e presidentit të 47-të, sigurisht se mbetet për t’u parë./Albanianpost.com

Read Previous

Vjena sërish kryeson në listën e vendeve më të mira për të jetuar

Read Next

Michael Owen e parashikoi, deklarata e bërë në gusht bëhet virale tani