Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, pas sulmit në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, ka thënë se janë forcuar masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike.
Lajmin e ka bërë të ditur KFOR-i përmes një komunikate për media.
“Pas sulmit ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, Kosovë, misioni i udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, ka forcuar masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon. Komanda Rajonale Lindore (RC-E) mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje në siguri, logjistikë dhe inxhinieri për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.
Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit.
Institucionet e Kosovës, kanë arrestuar 10 persona si të dyshuar për këtë sulm, teksa dy prej të cilëve u është caktuar msa e paraburgimit prej një muaji./Albanianpost.com