Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka legjitimuar spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke refuzuar ankesën e qytetarit Safet Demiri nga Medvegja për kthimin e adresës, të cilën policia serbe e ka fshirë nga regjistri në mënyrë të paligjshme në vitin 2019.
“Kur Serbia, nëpërmjet organit të saj më të lartë të drejtësisë vazhdon avazin e vjetër, shqiptarëve të Luginës së Preshevës u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë. Nga atje do ta mundim diskriminimin e Serbisë dhe po atje do të vendosim drejtësinë”, ka shkruar ajo në “Facebook” të mërkurën.
E përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – kanë paralajmëruar më herët se do të paraqesin ankesë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të Francës për diskriminimin e Serbisë.
Serbia ka pasivizuar në mënyrë të vazhdueshme adresat e shqiptarëve, kryesisht kur ata janë në pushime, në udhëtime, ose nuk janë në shtëpi për disa ditë. Kjo ka rezultuar në humbjen e shtetësisë dhe të të gjitha të drejtat civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur shërbime mjekësore ose asistencë sociale.
Ndryshe, në raportin e Komisionit Evropian (KE) për Serbinë, një pjesë i është kushtuar edhe çështjes së pakicave kombëtare, duke përmendur veçanërisht çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kontrollet policore, mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucione.
Shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë ngritur vazhdimisht zërin kundër diskriminimit që përjetojnë çdo ditë, duke kërkuar të integrohen në institucionet serbe, por edhe të zgjidhet çështja e pasivizimit të adresave – kërkesa që janë përfshirë edhe në planin shtatë pikësh të veprimit, por që nuk është miratuar nga Serbia. /Albanianpost.com