Autoritetet izraelite deklaruan se sistemi i avancuar i mbrojtjes ajrore Arrow do të vendoset në Gjermani vitin e ardhshëm.
Kjo, duke treguar se marrëveshja e tyre më e madhe e eksportit të armëve mbetet në rrugën e duhur pavarësisht një viti luftimesh në fronte të shumta.
Sistemi Arrow – i zhvilluar nga Israel Aerospace Industries Ltd. dhe Boeing Co. – u shfaq efektiv kundër sulmeve me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit këtë vit, thanë prodhuesit e tij.
Kur të vendoset në Gjermani, do t’i lejojë anëtarit të NATO-s të kundërshtojë kërcënime të ngjashme në të ardhmen.
Deklarata e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes të dielën tregon se vendi do të jetë në gjendje të ofrojë sistemin e tij më të sofistikuar të mbrojtjes ajrore në kohë, edhe pse ai ka luftuar Hamasin e mbështetur nga Irani në Gaza dhe Hezbollahun në Liban prej më shumë se një viti tani.
Ministria tha se u takua me zyrtarë gjermanë javën e kaluar për t’u përgatitur për vendosjen, me pjesëmarrjen e kontraktorëve kryesorë, duke përfshirë Elbit Systems Ltd. të Izraelit dhe MBDA Deutschland GmbH të Gjermanisë.
Gjermania dhe Izraeli nënshkruan kontratën prej 3.6 miliardë dollarësh në shtator të vitit të kaluar.
Çdo interceptor Arrow kushton rreth 3.5 milionë dollarë dhe është projektuar për të rrëzuar raketat e lëshuara në largësi deri në 2 mijë e 400 kilometra.
Ata mund të godasin objektivat e tyre jashtë atmosferës së Tokës, ku raketat balistike me rreze të gjatë kalojnë një pjesë të fluturimit të tyre. /Bloomberg/Albanian Post/