Niset sërish drejt Shqipërisë anija italiane Libra

Anija ushtarake italiane Libra është nisur sërish nga brigjet italiane drejt atyre shqiptare, ku mësohet se do të sjellë në Shëngjin – për t’u çuar më tej në Gjadër – 8 emigrantë të kapur në brigjet italiane.

Kështu ka bërë me dije media italiane La Repubblica, e cila shpjegon se fillimisht ishte planifikuar që të ishin nëntë persona ata që do të silleshin drejt kampit të Gjadrit, por personi i nëntë, i cili ishte me origjinë nga Bangladeshi, u gjykua se ishte shumë e moshuar dhe me shëndet të dobët.

Kjo lëvizje e radhës, vjen pas një vendimi të Gjykatës së Catania-s më 4 nëntor, në lidhje me çështjen e emigrantëve.

Dy Gjykata mohojnë dhe nuk zbatojnë dekretin me të cilin qeveria në vendin fqinj shpresonte të kapërcente pengesat që shkaktuan dështimin e transferimit të parë.

“Lista e vendeve të sigurta nuk e përjashton gjyqtarin nga detyrimi për të verifikuar përputhshmërinë e këtij përcaktimi me ligjin e Bashkimit Evropian dhe në Egjipt ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut që ndikojnë liritë e një rendi demokratik”.

Kështu shkruan Gjykata e Catania-s në dispozitën me të cilën nuk miratoi ndalimin e urdhëruar nga komisari i policisë së Raguzës të një emigranti të ardhur nga Egjipti, i cili kërkoi statusin e refugjatit në Pozzallo.

“Është vendimi i parë i këtij lloji pas dekretimit të ligjit për vendet e sigurta”, komenton avokatja e emigrantit, Rosa Emanuela Lo Faro.

Egjipti është përfshirë në listën e 19 vendeve të cilat në bazë të dekretit të fundit të miratuar nga qeveria Meloni, konsiderohen “të sigurta”.

Por ky rregull, siç ishte vënë në dukje tashmë nga një dispozitë nga gjykata e Bolongna-s disa ditë më parë, bie ndesh me një vendim të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së.

Në bazë të këtyre burimeve, një vend mund të konsiderohet i sigurt kur të gjitha kategoritë e qytetarëve, pa përjashtim, mbrohen nga trajtimet që cenojnë të drejtat e tyre. /Albanianpost.com

Read Previous

Raporti i IEA thekson progresin e pabarabartë global në vendosjen e energjisë së pastër

Read Next

Ukraina thotë se luftoi për herë të parë me trupat koreano-veriore