Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin francez “Liberation”, ka përsëritur se homologët e saj serbë, duhet të kërkojnë falje për krimet që janë kryer në Kosovë, si parakusht për pajtimin mes dy shteteve, në kuadër të dialogut.
Sipas Osmanit, ekziston një tendencë e revizionizmit historik lidhur me atë që ka ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje.
“Natyrisht. Por drejtësia është një parakusht për pajtimin. Ajo që i kërkoj homologëve të mi serb, është që mos t’i ikin kësaj drejtësie. Ata duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje për krimet e tyre. Nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë për ne, ata duhet ta bëjnë këtë për rininë në Serbi, e cila po ashtu ka nevojë për një të ardhme më të mirë. Ekziston një tendencë e revizionizmit historik lidhur me atë që ka ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje. Disa tentojnë ta bëjnë një ekuivalencë morale ndërmjet politikës gjenocidare të Serbisë dhe atë që disa individë mund të kenë bërë pas luftës. Kjo nuk është e pranueshme: ajo që e ka bërë Serbia ishin vepra të një sistemi shtetëror, jo aksione individuale. Kjo ndodhi veç para 20 vitesh dhe banorët e Kosovës e kujtojnë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur edhe për rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë se nuk ka qenë e befasuar.
“E befasuar jo sepse kjo fitore nuk është rezultat vetëm i përmbysjeve të këtyre dy viteve të fundit. Ajo është rezultat i dy dekadave të respektit të vullnetit të popullit. Ka patur një krizë të madhe morale, një krizë etike dhe politike, por ne e kemi vërtetuar që nëse tregoni etikë, mund ta fitoni besimin e qytetarëve.
Kur ne kemi marrë udhëheqjen e institucioneve, ne kemi qenë i vetmi shtet në Evropë pa vaksina. Më 23 mars ne e kemi marrë kontingjentin e parë përmes iniciativës Covax, me vetëm 24 mijë doza. Edhe pse ne jemi një shtet tejet i vogël, ne kemi vendosur që ta riafirmojmë orientimin tonë strategjik pro-perëndimor: ne nuk do të kthehemi drejt vaksinave ruse ose kineze. Por ne kemi tejet nevojë për mbështetje nga ana e partnerëve tanë”, ka thënë tutje ajo.