Çfarë zbuluan rezultatet përfundimtare të Censit të Popullsisë në Shqipëri

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të enjten e 31 tetorit rezultatet përfundimtare të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023.

Këto të fundit ofrojnë informacion të detajuar mbi strukturën demografike dhe karakteristikat socio-ekonomike.

Referuar publikimit, bashkia me rënien më të madhe të popullsisë ishte Shkodra, duke kaluar nga 135 mijë e 612 banorë në 102 mijë e 434 në vitin 2023.

Qyteti verior ndiqet nga Elbasani (-26 mijë e 613 banorë) dhe Durrësi (-21 mijë banorë).

Nga ana tjetër, bashkia me rritjen më të madhe ishte Tirana (+40 mijë e 754 banorë).

Të dhënat tregojnë rritje të dukshme në bashkitë me popullsi minoritare, si Dropulli (+135 për qind) dhe Himara (+45 për qind).

Në total, Shqipëria ka humbur 14.8 për qind të popullsisë nga 2011 në 2023.

Në përgjithësi, vetëm gjashtë nga 61 bashki treguan rritje, ndërsa shumica ishin në rënie.

Ndarja e popullsisë

Të dhënat e INSTAT-it në muajin qershor zbuluan se 32 për qind e totalit prej 2.4 milionë banorësh, jetojnë në kryeqytet, duke përmbledhur si banorë të qendrës së Shqipëri rreth 800 mijë persona.

Nga ana tjetër, në vend të dytë radhiten Fieri dhe Elbasani, ku jetojnë 10 për qind e popullsisë në secilën. Pra, rreth 240 mijë banorë në Fier dhe po aq në Elbasan.

Në Durrës, shifra është prej 9 për qind. Rreth 7 për qind jetojnë në Korçë, 6 për qind përkatësisht në Shkodër, Vlorë dhe Berat.

Në Dibër dhe në Lezhë, popullsia që jeton aty është me nga 4 për qind e totalit për secilën.

Ndërsa, renditjen, si qarqet më pak të banuara, e përmbyllin Kukësi dhe Gjirokastra. /Albanianpost.com

Read Previous

Materazzi: M’u duk i çuditshëm ky “Top i Artë”, Lautaro meritonte të paktën “top 5”

Read Next

Rritet indeksi i besimit ekonomik të Shqipërisë