Kthimi i anijes me 2100 tonë mbetje në Durrës – Çfarë dihet deri tani

U është vendosur sekuestro 102 kontejnerëve me mbetje në anijen Moliva e cila u kthye mbrapsht pas tre muajsh që u nis nga Shqipëria.

Prokuroria e Durrësit me një vendim që mban datën e djeshme, 27 tetor, kërkon “të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë”.

“Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre. Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”.

Drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Bazelit Jim Pocket ka folur për kthimin e anijes në Durrës.

Pocket deklaroi se anija po mbahet 1 km larg bregut dhe pritet që pasditen e sotme të ankorohet në port, ndërsa bëri thirrje që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në sy të publikut.

Ai u shpreh se është 90% i sigurt se mbetjet janë toksike.

“Jemi këtu me rastin arritjes së anijes me mbetje toksike me 102 kontejnerë. Presim që anija Moliva të arrijë prapa krahëve tonë dhe të ankorohet pasdite. Do të vinte sot në mëngjes në orën 8, por është kërkuar nga autoritetet të mbahet një km larg bregut. Kemi informacion që kemi kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje”.

Pocket theksoi se “besojmë se pasdite do të ankorohet, por nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë më pas”.

“Jemi në dijeni se ka një procedim penal nga Prokuroria për këtë çështje dhe shpresojmë që prokurorët të jenë këtu kur të vijë anija. Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun. Ka pasur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente”.

Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, pritet të mbërrijnë në orët e para të mëngjesit të nesërm, në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali.

Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer

Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Dyshimet për përmbajtjen e tyre të rrezikshme, u hodhën nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria. Kompania Sokolaj, nuk i ka deklaruar si mbetje të rrezikshme, kur ato u grumbulluan në një mjedis të hapur në Portin e Durrësit përpara se të ngarkoheshin në kontejnerë.

Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Alarmi i dhënë nga “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” bëri që Tajlanda, vendi pritës, të refuzonte shkarkimin e kontenierëve në portet e saj, ndërsa u njoftua se anijet do riktheheshin në Shqipëri.

Në atë kohë, në muajin gusht, ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Dje, në hyrje të Portit të Durrësit, Partia Demokratike organizoi një protestë, me pjesmarrjen dhe te ekspertëve të mjedisit.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi drejtoi gishtin e përgjegjësisë mbi qeverinë shqiptare: “Askush nuk e di çfarë po ndodh me këto mbetje toksike që do të helmojnë jetën e qytetarëve, fëmijëve tanë. Askush të mos tentojë ta shesë këtë si histori pazaresh mes privatësh. Secilit pjesën e përgjegjësisë që i takon, dhe më e rrezikshmja është e atyre që drejtojnë këtë vend”.

Ndërsa ambientalistët, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi rrezikshmërinë e ngarkesës me mbetje, deklaruan se ato nuk duhen pranuar përsa kohë nuk dihet se farë janë saktësisht. /Albanianpost.com

Read Previous

Lihtenshtajni voton për të hequr fondet e radios publike

Read Next

OKB: Përpjekjet globale për të trajtuar ndryshimet klimatike janë shumë larg objektivit