Andreas Schieder: Shqipëria partner i besueshëm, angazhohem të mbështes rrugën e saj drejt BE-së

Shumica e grupeve politike në Parlamentin Evropian nominuan të martën anëtarët e tyre për postet e Raportuesve për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Eurodeputeti austriak Andreas Schieder nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në PE do të jetë Raportuesi i ri për Shqipërinë, duke zëvendësuar në këtë rol portugezen Isabel Santos.

Schieder deklaroi fillimisht për Albanian Post se ndihet mirë për detyrën e re dhe se do të bëjë çmos për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Ndër të tjera, eurodeputeti austriak zbuloi për AP-në se disa vende në Ballkanin Perëndimor po bëjnë hapa prapa sa i takon përafrimit me acquis të BE-së, duke marrë shkas nga diskutimet në Parlamentin Evropian.

Përfaqësuesi i Sozialdemokratische Partei, theksoi se Shqipëria mbetet “një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar” si dhe ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme në vitet e fundit.

Kujtojmë që, Raportuesit për Ballkanin Perëndimor janë anëtarë të Komitetit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme (AFET), të ngarkuar me hartimin e raporteve vjetore mbi gjendjen e zhvillimeve në vendet kandidate nga rajoni.

Raportuesi është një anëtar i Parlamentit Evropian i cili është përgjegjës për trajtimin e një propozimi legjislativ të hartuar nga Komisioni Evropian, si proceduralisht ashtu edhe në lidhje me thelbin e propozimit.

Intervista me Andreas Schieder, Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Evropian:

– Mund t’iu pyes fillimisht si ndiheni për këtë moment të karrierës tuaj duke njohur marrëdhëniet e mira mes dy vendeve Shqipëri-Austri?

“Austria ka qenë tradicionalisht shumë e përfshirë në të gjithë rajonin dhe është një mbështetëse e madhe e Procesit të Zgjerimit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më vjen mirë që tani kam mundësinë të vazhdoj në këtë drejtim dhe do të bëj çmos për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.”

– Pak ditë më parë në Parlamentin Evropian u diskutua për prezantimin e draft-agjendave të vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me Facilitetet e Planit të Rritjes së BE-së. Cila ishte qasja e eurodeputetëve?

“Ne mirëpresim faktin që Komisioni i BE-së ka vënë në dispozicion pagesat në kuadër të Facilitetit të Reformës dhe Rritjes. Kjo tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara ndaj agjendave të tyre të reformave. Por ne gjithashtu e dimë se veçanërisht në fusha si sundimi i ligjit dhe përafrimi me acquis të BE-së, disa vende kanë ende mungesa dhe madje po bëjnë hapa prapa. Prandaj është një ide e mirë që të zbatohen parakushtet si mbrojtja e mekanizmave demokratikë, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, për marrjen e fondeve shtesë.”

– Nëse mund të kemi një koment nga ana juaj për faktin që Shqipëria konsiderohet lider ndër vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket procesit të anëtarësimit të saj në BE.

“Politika e zgjerimit është një nga instrumentet më efektive të politikës së jashtme të BE-së, duke kontribuar në zgjerimin e shtrirjes së vlerave themelore të Unionit për lirinë, demokracinë, sundimin e ligjit, ndërtimin e paqes dhe respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut. Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar dhe ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Ajo vazhdon të ecë përpara me reformat themelore në lidhje me BE-në dhe po përmbush si dhe ruan kushtet për të ecur përpara me bisedimet e pranimit.”

– Si i keni parë dhe ndjekur zhvillimet në vendin tonë?

“Prej shumë vitesh jam përfshirë duke ndjekur nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe kam vizituar shumë herë rajonin, por edhe Shqipërinë. Mezi pres që tani të punoj ngushtë me Përfaqësuesit dhe Shoqërinë Civile në vend për të nxitur rrugën evropiane të Shqipërisë.” /Albanianpost.com

Read Previous

Igli Hasani: Më shumë mbështetje për gratë në zonat e konfliktit

Read Next

Shembja e urës në Baltimore, pronari dhe operatori i anijes do të paguajnë 100 milionë dollarë