Begaj pas takimit me von der Leyen: Shqipëria do të përmbyllë në kohë dhe me sukses kapitujt themelorë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën zhvilloi një diskutim të hapur për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe të ardhmen Evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen vlerësoi angazhimin personal të Kreut të Shtetit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe perspektivën unike që ky integrim ofron për paqen, integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit.

Begaj përgëzoi von der Leyen për vendosjen e integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE në krye të përparësive përgjatë mandatit të dytë të saj si Presidente e Komisionit Evropian.

Ai çmoi angazhimin e Presidentes von der Leyen për të përshpejtuar hapjen e të gjithë kapitujve me Shqipërinë deri në fund të vitit 2025.

Gjithashtu Begaj shprehu bindjen se Shqipëria dhe institucionet shqiptare do të përmbyllin në kohë dhe me sukses kapitujt themelorë, duke ecur në këtë mënyrë më të njëjtin ritëm me aspiratën e shqiptarëve për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Republikës i shprehu mirënjohje Presidentes së Komisionit Evropian për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, teksa nënvizoi edhe rëndësinë e mesazheve në samitin e fundit të Berlinit, si dhe miratimin nga BE-ja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria do të vijojë të mbetet një nxitëse e  bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen e tij se nuk mund të ketë integrim evropian të rajonit pa një integrim ekonomik dhe bashkëpunim proaktiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. /Albanianpost.com

Read Previous

Barella: Nuk ka ndeshje të lehta në Ligën e Kampionëve

Read Next

Barduani takon Kurtin