Renditja e FIFA-s, Shqipëria ngjitet me 2 vende, Kosova me 3

Kombëtarja shqiptare dhe përfaqësuesja e Kosovës kanë patur ecuri pozitive në renditjen e FIFA-s për muajin tetor. Kuqezinjtë janë ngjitur me dy vende, ndërsa “Dardanët” me tre vende.

FIFA ka zbuluar këtë të enjte renditjen më të fundit të ekipeve kombëtare, e cila mban datën 24 tetor 2024. Renditja e re vjen pas pushimit ndërkombëtar të tetorit ku Argjentina vijon të mbetet lidere në botën e futbollit.

Shqipëria dhe Kosova kanë pasur ecuri pozitive, duke pasur ngjitje në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Nga vendi 67, tani Shqipëria renditet në vendin e 65, pas suksesit në ndeshjen e fundit në transfertë ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për UEFA Nations League.

Shqipëria triumfoi 0-1 në “Mikheil Meskhi” dhe pikërisht kuqezinjtë kanë kaluar në renditjen e FIFA-s Gjeorgjinë, por edhe Finlandën.

Kosova nga vendi i 104 ka shkuar në 101, kjo falë dy fitoreve në Nations League, përkatësisht 1-2 ndaj Lituanisë dhe 3-0 ndaj Qipros.

Shqipëria do të rikthehet në fushë në muajin nëntor për dy ndeshjet e fundit në grupin B1 të UEFA Nations League, ndaj Çekisë (16 nëntor, 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor, 20:45). Të dy ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” dhe Kombëtarja është në garë për vendin e parë në grupin B1.

“Dardanët” do të rikthehen me dy ndeshjet e fundit në nëntor, ku do të përballen me Rumaninë dhe Lituaninë.

Dueli me Rumaninë do të zhvillohet më 15 nëntor, ora 20:45, në transfertë. Ndërsa, takimi i fundit, me Lituaninë, do të luhet në Prishtinë, më 18 nentor, ora 20:45.

Përsa i përketë renditjes totale, gjashtë vendet e para mbeten të pandryshuara. Argjentina kryeson, e ndjekur nga Franca, Spanja, Anglia, Brazili dhe Belgjika.

Portugalia ka marrë vendin e shtatë, ndërsa Holanda ka zbritur në të tetin. Italia ngjitet në vendin e nëntë, ndërsa Kolumbia zbret në vendin e 10. Gjermania afrohet me “top 10”, duke u ngjitur me dy vende për tu pozicionuar e 11-ta.

Kroacia, kombëtarja më e mirë ballkanike në renditjen e FIFA-s, qëndron në vendin e 12.

Zvicra e kapitenit Granit Xhaka ka zbritur me dy vende, duke u pozicionuar e 17-ta.

Ndërkohë, San Marino vijon të qëndrojë në fund të renditjes, ndërsa Eritrea mbetet ende e pa futur në klasifikim.

Kombëtarja me ngjitjen më të madhe janë Komorot, të cilët janë ngjitur me 10 vende. Tunizia ka pasur zbritjen më të madhe me 11 vende. /Albanianpost.com

Read Previous

Ministri Murati takohet me shefin e misionit të FMN-së

Read Next

Izraeli kryen sulme ajrore në Damask