Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka sekuestruar të mërkurën substanca narkotike në tri qytete të Kosovës.
Sipas raportit të Policisë, tre rastet ku është konfiskuar substancë narkotike e llojit marihuanë kanë ndodhur në Gjilan, Pejë dhe në Gjakovë.
Lidhur me këto tri raste policia ka njoftuar se ka arrestuar tre të dyshuar.
Në Gjilan është arrestuar një person për shkak se gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar një peshore elektronike dhe një sasi prej 3.88 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Edhe në Pejë është arrestuar një person për shkak të posedimit të marihuanës.
“Është arrestuar i dyshuari për shkak se gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar 19 paketime të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një grinder për bluarje të marihuanës, si dhe disa folje alumini që shërbejnë si mbështjellës për substancë narkotike”, ka njoftuar Policia.
Ndërsa tutje thuhet se me vendim të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Gjakovë Policia ka arrestuar një person tjetër nën dyshimin se gjatë kontrollit në veturën e tij janë gjetur dhe sekuestruar tri qese me substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 25.4 gramë.
Sipas njoftimit i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./rtklive