Punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë duke punuar pa ndërprerë për të kthyer në sistem njësinë A4 e termocentralit “Kosova A”, kanë treguar për Indeksonlinen burime pranë KEK.
Sipas të njëjtave informacione po bëhet e pamundura që njësia të kthehet sot gjatë ditës.
Ndryshe sot në orët e hershme të mëngjesit është ndalur njësia A4 e termocentralit “Kosova A” të KEK-ut.
Kjo ndalesë e paplanifikuar ka ndodhur si pasojë e një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, kanë thënë nga Korporata Energjetike e Kosovës në një deklaratë për media.
“Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt”, tha KEK-u në deklaratë.
KEK-u tha se ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe “po punojnë për rregullimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt”.
“Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe ai është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, tha KEK-u./Indeksonline/