Mikel Arteta zbulon si reaguan lojtarët anglezë të Arsenalit ndaj emërimit të Tuchel

Mikel Arteta ka zbuluar se cili ishte reagimi i lojtarëve anglezë të Arsenalit pas emërimit të Thomas Tuchel në stolin e ‘Tre Luanëve’.

Tuchel u emërua përzgjedhës i Anglisë rol të cilin zyrtarisht do ta nis nga 1 janari i vitit 2025, pasi ka nënshkruar një kontratë 18-muajshe.

Ai u prezantua në ‘Wembley Stadium’ të mërkurën aty ku iu shtrua pyetja se a do ta këndonte himnin ‘God Save The King’.

Kontigjenti i lojtarëve të Arsenalit që do të marrin pjesë në grumbullimin e Tuchel përfshin dyshen Declan Rice dhe Bukayo Saka.

Sipas Artetas, dyshja e ‘Topçinjve’ janë të emocionuar për idenë e të luajturit nën urdhrat e 51-vjeçarit.

“Ata do të mësojnë shumë. Unë mendoj se është njëri prej trajnerëve më të mirë në botë, sipas mendimit tim, pa asnjë dyshim”.

“Me eksperiencën e tij, mënyrën se si luajnë skuadrat e tij. Unë kam folur me disa prej lojtarëve dhe ata kishin një buzëqeshje në fytyrat e tyre. Kjo gjithmonë është një shenjë e mirë”, ka thënë Arteta.

Arteta gjithashtu u pyet nëse trajnerët e kombëtareve duhet t’i përkasin të njëjtës kombësi pasi Tuchel është bërë trajneri i tretë i huaj në histori të Anglisë dhe i pari gjerman.

“I kuptoj mendimet dhe ndjenjat, natyrisht, por kjo është përgjegjësi e Federatës për të thënë, ‘ filtri ynë i parë është vetëm trajnerë anglezë ose filtri është një trajner nga cilido shtet dhe ne do të zgjedhim më të mirin’”, është shprehur spanjolli./Telegrafi/

Read Previous

Sir Alex Ferguson zbulon se si ka refuzuar tri klube angleze për Man Unitedin

Read Next

Koreja Veriore dërgon një dislokim të trupave në shkallë të gjerë në Rusi, thotë agjencia e spiunazhit të Seulit