Në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, kurse në dispozicion të institucioneve shëndetësore janë 85 mijë vaksina.
Zëdhënësia për media e Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës (Ikshpk) Era Pireva, në lidhje me interesimin e qytetarëve të Kosovës për marrjen e vaksinave kundër gripit sezonal, thotë se ka interes të mirë.
“Interesimi për vaksinim kundër gripit sezonal është i mirë. Ka një javë, që ky proces ka filluar në tërë vendin dhe IKSHPK pret që kategoritë me prioritet t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për vaksinim”, njofton Pireva për rtv21.tv.
Në vitin e kaluar në këtë dikaster, janë vaksinuar rreth 72 mijë qytetarë të Kosovës, me vaksinën kundër gripit sezonal.
“Vitin e kaluar janë vaksinuar rreth 72 000 qytetarë të Kosovës me vaksinën kundër gripit sezonal, ku kanë dominuar personat e moshës mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike”, tregon ajo për rtv21.tv.
Grupmoshat të cilat janë me prioritet për marrjen e vaksinës kundër gripit sezonal janë personat me sëmundje kronike, personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe fëmijët nga mosha 6 muaj deri në 5 vjeç.
“Grupet me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: Personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar, personat mbi 65 vjeç, punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore”, bën të ditur Pireva.
Sipas IPSHPK pas marrjes së vaksinës, organizimit i duhen rreth dy javë që të arrijë imunitetin e duhur.
“Vaksinimi me vaksinën e gripit sezonal është mënyra më efikase, më e thjeshtë dhe më e dobishme për t’u mbrojtur kundër gripit sezonal. Pas marrjes së vaksinës, organizimit i duhen rreth dy javë që të arrijë imunitetin e duhur, kështu që tani është koha e duhur për ta marrë vaksinën, duke ditur që sezoni i gripit përfshin kohën prej muajit tetor deri në mars-prill të vitit vijues”, përfundoi Pireva. /21Media/